Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë sot se edhe aktivistët e VV-së janë zhgënjyer me partinë e Albin Kurtit.
Kjo për shkak se sipas Tahirit, kjo parti në institucione publike është duke punësuar vetëm familjarë edhe jo aktivistë që i kanë mbledhur votat gjatë zgjedhjeve për partinë në pushtet.
“S’ka kurgjo të mirë prej juve. Besa po i zhgënjeni edhe aktivistët e juaj se a po e shihnim ma shumë kanë përparësi, nipi, daja e halla, se sa aktivisti.
Sot ju po ja kallëzoni fytyrën edhe atyre që kanë nga pas juve me ja u mbledh votat juve. Sot edhe Kuvendin e keni shndërruar një një institucion që i sistemoni familjarët e juaj”, ka thënë Tahiri.
Pas kësaj deklarate ka ndërhyrë nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, e cila i kërkoi Tahirit që të qëndrojë në temë të diskutimit.
Por, deputeti i PDK-së deklaroi se edhe vet Bogujevci që është pjesë e VV-së, është në dijeni se veprimet e partisë së saj nuk janë të duhura.
“Është në rregull Sarandë sepse mundet edhe mos me te pëlqy, se besoj nuk të pëlqen as veprimi i partisë tënde kur e sheh nipin, e dajën, e hallën e zv.kryeministrit e ministrit duke u sistemuar. Unë besoj që edhe ju nuk ndiheni mirë, por tash s’ki qa me ba. Edhe ti duhesh me e kapërdi diqysh dhe me e tejkalu këtë situatë”, ka thënë Tahiri .
Më tutje, Tahiri ka paralajmëruar se ka ende familjarë të punësuar në institucione, e për cilët nuk janë në dijeni qytetarët.
“Realisht kurgjo s’ka dal në opinion publik çka ka. Sa këshilltari, dajë, nip e hallë, krejt kanë me dal. Ju i keni marrë votat për me e i çu hajnat në burg,. Ju tash po bashkëpunoni me ta”, tha ai.