Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës e ka kritikuar ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, për kontratat njëburimore të nënshkruara pa procedura të tenderimit. Tahiri i tha Aliut se në ministrinë të cilën ai e udhëheq, në fakt ministër është zëvendësministri Hysen Durmishi.
Tahiri deklaroi se ministri Aliu është shndërruar në fytyrën më të urryer te qytetarët, pas rastit me tiketat ngjitëse për vetura, në vlerë prej 5 eurove.
“Njeri duhet me qenë në njëfarë zori t’madh me folë dhe mos me e pas guximin me nejt në seancë. Me i bë nja 28 kontrata njëburimore pa procedura të tenderimit, qysh i ka bë Liburn Aliu, pasha Zotin mos qofsha në lëkurë të tij, nuk ka më rënd, sepse normalisht e pret me të ardhë me të kërsitë prokuroria e policia te dera. Në anën tjetër, me ua zënë dorën në xhep qytetarëve qysh ua keni zënë me taksën prej 5 eurove, s’ka faj, sepse është shndërrua në fytyrën më të urryer prej qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.
Tahiri tha se taksa duhej të anulohej, e jo vetëm të pezullohej. Sipas tij, ministri Aliu është në zor të madh dhe kjo është arsyeja që ai nuk qëndroi në seancën plenare.
“Pra ky, me një vendim që e ka pezullu, e nuk e ka anulu, pra prej 5 eurove, ka ndikuar në varfërimin direkt të këtyre qytetarëve që janë më të varfrit në Bashkimin Evropian. Unë e kuptoj që ky nuk mund të rrijë në seancë, sepse është në hall të madh, është në zor të madh, sepse nuk e di a ka hy me vetëdije apo e ka shti dikush tjetër, por me i nënshkru gjithë ato kontrata të dëmshme, që e dëmtojnë buxhetin e Kosovës dhe mos me pas kurajo dhe guxim me bashkëbiseduar me deputetë, është e papranueshme, ne i kërkuam me nejt, por ai nuk guxoi, normalisht sepse nuk ka argumente, çka ka me thënë. Pra me një nguti kaq të madhe i ka bë 28 kontrata njëburimore është e rëndë, veç me e bë vlerësimin e tyre për një periudhë kaq të shkurtë do ishte e pamundshme, e lëre më me ardhë deri te zbatimi dhe shpenzimi i buxhetit, pra ky është në situatë të rëndë, unë e kuptoj”, deklaroi Tahiri.
Tahiri i tha ministrit Aliu se në ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është ministër zëvendësministei Hysen Durmishi, i cili mori vendimin për pezullimin e taksës së tiketave ngjitëse për veturat.
Tahiri tha se i duket se Durmishi është ‘baba’ në këtë ministri.
“Hala më e rëndë është se ky e ka një zëvendësministër që e ka ministër, në fakt këtu sot ish desht me qenë Hysen Durmishi, sepse po duket që ai është baba në atë ministri. Me pas qenë në lëkurë të tij, kur e ka njoftu ky ka qenë në Kuvend, kur e ka nhjoftu Hysen Durmishi që po pezullohet taksa, në atë minut e kisha lënë ministrinë bre, do me thanë me të njoftu zëvendësministri që po ta peuzllon taksën e ti me qenë në Kuvend e mos me ditë kurrgjë, po kjo është kulmi i narrëzisë”, ka deklaruar Tahiri.