Sporti

Abedin Zeka: Kuvendi është i parregullt, jam i bindur se ka manipulime me delegatët

04/06/2022 12:32
nga:Mergim Rreci

Agim Ademi është zyrtarizuar edhe për një mandat në krye të institucionit më të lartë të futbollit kosovar.

Ai mori 42 vota në Kuvendin e ditës së sotme, vota këto që ia mundësojnë qëndrimin në pozitën që e mori para dy viteve, shkruan GazetaBlic Sport.

Mandati i tij është 4 vjeçar dhe do të vlejë deri në vitin 2026.

Agim Ademi ishte kandidati i vetëm në garë për kryetar të FFK-së, pasi Gramoz Vokrri u eliminua për shkak të disa nënshkrimeve të delegatëve të cilat ishin shpallur të pavlefshme nga FFK.

Vokrri kishte dërguar lëndën në Gjykatë, por kjo e fundit nuk ndryshoi asgjë nga vendimi fillestar i marrur nga institucioni më i lartë i futbollit tonë.

Disa delegatë bojkotuan këtë Kuvend dhe në mesine tyre ishte edhe Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka.

“Për mua ky Kuvend nuk është i rregullt. Edhe në kohën kur kemi qenë shumë të varfër, kuvendet e tilla i kemi mbajtur në salla të hoteleve, e jo në kësi mënyre si ky sot. Një Kuvend me dyer të mbyllura që nuk lejoi as hyrjen e gazetarëve. Jam i bindur që ka manipulime me delegatët e brendshëm, sepse nuk kishte transparencë të plotë. Ne nuk kishim një pamje të plotë të delegatëve, por ata u flimuan pjesërisht. Nuk kishim një pamje të qartë që do të na dëshmonte numrin e tyre“, tha Zeka për ‘GazetaBlic Sport’.