Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka reaguar ndaj Elvis Hoxhës, i cili i ka quajtur mercenarë gazetarët dhe se janë të paguar për shpifje, raporton Gazeta Blic.
Abdullahu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gazetarët e analistët e Kosovës nuk janë mercenarë.
“Ajo që tash sa vite në Kosovë është djallëzore deri në rrezik nacional – ajo që është tinzare deri në kërcënime e shantazhe është mekanizmi fantom në rrjete sociale që ka agjendë politike e partiake”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Abdullahu i ka thënë Hoxhës se edhe rusët do t’i xhelozonin për këto dimensione satanike kundër fjalës së lirë.
Postimi i tij i plotë:
Edhe rusët kishin me ju xhelozu
Gazetarët dhe analistat e Kosovës nuk janë mercenarë. Ata e thonë atë që mendojnë publikisht në media e rrjete sociale, ata dihet se kush janë, ata kanë emër e mbiemër, janë të punësuar në biznese konkrete dhe paguajnë taksa.
Ajo që tash sa vite në Kosovë është djallëzore deri në rrezik nacional – ajo që është tinzare deri në kërcënime e shantazhe është mekanizmi fantom në rrjete sociale që ka agjendë politike e partiake – ajo që vihet në lëvizje me para e interesa klanore e që nuk i dihet se më shumë merr nga majtistët ekstrem të Evropës apo nga shitblerjet e rrymës me Serbinë – ajo që shan linçon e shpall tradhtar dhe – ajo që ka sjell në pushtet ide korruptive e qëndron aty me shkelje ligjore.
Ky është mekanizmi që e ka vra fjalën e lirë në Kosovë e jo gazetarët, që e ka përça shoqërinë tonë si kurrë më parë, e jo analistët – që po e lë shtetin pa pushtet e Kosovën pa shtet.
Edhe rusët kishin me ju xhelozu për këto dimensione satanike kundër fjalës së lirë.


