Lajme

Abdixhiku e quan “populizëm” pozicionin e Kurtit për Asociacionin: Ose zbatoje, ose zhbëje marrëveshjen

02/13/2023 13:41
nga:Genita C

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se Kosova nën Kurtin nuk ishte koordinuar me aleatët e saj të mëdhenj, çka kishte bërë që të binim në atë që e quajti si grackë të Serbisë.

Ndërkohë, Abdixhiku e quajti “populizëm” pozicionin e kryeministrit në lidhje me Asociacionin duke shtuar se ai ose duhej ta shfuqizonte marrëveshjen ose ta zbatonte Asociacionin sipas Kushtetutës së vendit.

“Kryeministri duhet të kuptojë se para vetes e ka një marrëveshje të ratifikuar në vitin 2013 në Kuvendin e Kosovës. Populli i Kosovës përmes deputetëve me 84 vota për, që i bie 80 për qind e qytetarëve të Kosovës, e kanë marrë një vendim të tillë”, u shpreh Abdixhiku.

Sipas tij, kryeministri i ka dy mundësi; ta zhbëjë këtë marrëveshje ose ta zbatojë atë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Të tjerat janë lojëra fjalësh për debate e konsume populiste”, ka përfunduar Abdixhiku.