Lajme

A mund ta ndalë Kosova rritjen e çmimeve? Flasin ekspertët e ekonomisë

02/22/2022 17:21
nga:Q R

Ekspertët e Ekonomisë në Kosovë vlerësojnë se rritja e çmimeve të produkteve elementare po e fut vendin në krizë. Sipas tyre, Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarr masa për frenimin e kësaj rritje deri në tejkalimin e krizës, shkruan Gazeta Blic.

Selatin Kaçaniku nga shoqata ‘Konsumatorët’, thotë për ‘Gazeta Blic’ se qytetarët po dalin gjithmonë të dëmtuar, pasi që, sipas tij, Qeveria e Kosovës po dialogon me opozitën dhe nuk po bënë përpjekje t’i ndihmojë konsumatorët.

Duke folur për rritjen e çmimeve Kaçaniku thotë se nuk po kanë as ku të ankohen.

“Qeveria duhet të mos bëjë politika duke ju përgjigjur opozitës sepse opozita e ka dëshmuar vetën në mandate të kaluara, por të bëjë politika burimore duke u përpjekur t’i ndihmojë konsumatorët që ata të arrijnë dhe të avancohen vazhdimisht në nivelin e kënaqshëm me qeverinë. Në këto rrethana kur qeveria dialogon me opozitën por jo me ne, ne natyrisht që dalim gjithmonë të dëmtuar, pasi që rrogat janë shumë të ulëta krahas çmimeve. Ne nuk kemi as ku të ankohemi”, deklaron ai për Gazeta Blic.

Nga ana tjetër, Agon Sinanaj gazetar i ekonomisë, deklaron për ‘Gazeta Blic’ se një ngritje kaq e madhe e çmimeve të produkteve bazike në Kosovë rrezikon pjesën dërmuese të kosovarëve të varfur.

“Çmimet në Kosovë, praktikisht, janë në “rënie të lirë”. Çka do të thotë kjo? Në vendin tonë që nga paslufta e sidomos tani askush nga institucionet nuk preokupohet shumë, për të mos thënë fare, me ngritjen e çmimeve. E kanë gjetur arsyetimin më të lehtë gjoja se Kosova tani ka ekonomi të tregut dhe parimi bazik i kësaj ekonomie – ligji i ofertës dhe kërkesës. Pra arsyetimi i institucioneve, si në të kaluarën por edhe tash, është ky: çmimet mund t’i ngrisë kush sa të dojë. Në vrullin e shfrenimit të çmimeve në Kosovë, Qeveria, më së paku, është dashur t’i ndërmarrë këto masa, gjëgjësisht të marr vendim për ngrirjejn e çmimeve të produkteve bazike për një periudhë të caktuar. Sepse një ngritje kaq e madhe e çmimeve realisht rrezikon pjesën dërmuese të kosovarëve të varfur”, vlerëson ai.

Sinanaj, shton se Qeveria duhet të ndërmarr masa për ta frenuar këtë rritje të çmimeve, në mënyrë që, sipas tij, të tejkalohet kjo krizë.

“Qeveria duhet domosodoshmërisht të ndërmarrë masa për frenimin e kësaj rritje deri në tejkalimin e krizës. Po e them edhe njëherë më së paku duhet të ngrihen çmimet e produkteve bazë siç kanë bërë shtetet e rajonit. Një mundësi tjetër është rritja e pagave në sektorin publik, si dhe në sektorin privat. Në Kosovë nga viti 2010 ka pasur në vazhdimësi rritje të inflacionit, por pagat kanë mbetur të njëjta, përjashto një rritje solide që është bërë në sektorin publik nga qeveritë e kaluara. Deri tani, Qeveria ka paralalajmëruar rritjen e pagës minimale në 250 euro, por e shoh të vonuar këtë gjë, marrë parasysh paralajmërimet për krizën që po e kalojmë tash. Ajo cka ka bërë Qeveria deri më tani ka qenë subvencionimi sidomos tek disa prodhues të produkteve bazike”, thotë ai.

Sipas statistikave zyrtare nga ASK, brenda një viti çmimi i miellit është rritur për 29 për qind, buka prej 17 për qind, vaji prej 46 për qind, qumështi prej 9 për qind, patatet prej 24 për qind, nafta prej 26 për qind e kështu me radhë.

Reagime për ngritjen e çmimeve ka pasur edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme.

Kurti: Pagat do të rriten, por ato s’mund ta ndjekin rritjen ekonomike

Abdixhiku: Rritja e inflacionit është 7.1 përqind, kjo është alarmante