Lajme

A jemi afër heqjes së sanksioneve? Flet deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi

10/31/2023 18:12
nga:Genita C

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi thotë se Kosova e ka shprehur vullnetin e gatitshmërinë për t’i përmbushur kërkesat rreth përmisimit të gjendjes politike dhe sigurisë në vend.

Krasniqi në një prononcim për GazetaBlic thekson se, heqja e sanksioneve është një hap pozitiv që do të ndihmojë Kosovën në fuqizimin e proceseve të paqes dhe të zhvillimit në rajon

“Besoj se heqja e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Kosovës është një hap pozitiv që do të ndihmojë në fuqizimin e proceseve të paqes dhe të zhvillimit në rajon. Kosova ka shfaqur vullnetin e qartë për të përmbushur kërkesat dhe reforma të nevojshme për të përmirësuar gjendjen politike dhe të sigurisë së vendit”, tha Krasniqi.

“Heqja e sanksioneve është një shprehje e besimit të Bashkimit Evropian në rrugën e Kosovës drejt stabilitetit, paqes dhe prosperitetit. Gjithashtu, vlerësoj se kjo lëvizje do të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve në rajon dhe në procesin e dialogut me Serbinë”, shtoi Krasniqi për GazetaBlic.

Kujtojmë se, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përsëriti qëndrimin evropian se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Serbia të njohë de facto Kosovën.

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarja evropiane tha se draft-statuti i propozuar së fundi nga diplomatët evropianë, është në qendër të bisedimeve për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja ka vendosur më herët gjatë vitit ndaj Kosovës, pas rritjes së tensioneve.

“Ajo që kam biseduar me presidenten, dhe që do ta bisedoj edhe me kryeministrin është se çfarë mund të bëjmë për të hequr masat [ndëshkuese]. Këtu është çështja e draft-statutit në qendër të diskutimeve dhe praktikisht është një hap i rëndësishëm përpara në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Është krucial dhe sigurisht që do të hapë derën për të pasur qasjen në planin e rritjes [së BE-së]. Po punojmë në këtë drejtim. Këtu na duhen të dyja palët të bëjnë pjesën e tyre, por është po ashtu kruciale që jo vetëm të ketë shtensionim të situatës por edhe të lëvizet në rrugën drejt BE-së”, tha von der Leyen.

Avokatët: Bastisjet e fundit, të panevojshme, mund të jenë si rezultat i dështimit të Prokurorisë Speciale