Lajme

Avokatët: Bastisjet e fundit, të panevojshme, mund të jenë si rezultat i dështimit të Prokurorisë Speciale

10/31/2023 17:59
nga:Y I

Një ditë më parë, Gjykata Speciale, ka bastisur banesat e dy ish-këshilltarëve të ish-presidentit, Hashim Thaçi, Blerim Shala dhe Bashkim Smakaj, raporton Gazeta Blic.

Edhe sot po ashtu kanë vazhduar bastisjet në banesën e një tjetër ish-këshilltari të Thaçit, Artan Behrami.

Aksioni i sotëm është konfirmuar edhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në lidhje me këto bastisje janë deklaruar për “Gazeta Blic” njohësit e çështjeve juridike.

Avokati, Ardian Bajraktari, tha për “Gazeta Blic” se kontrollimi dhe sekuestrimi mund të bëhet pasi që të jetë autorizuar nga ana e panelit gjyqësor sipas kërkesës së Prokurorit.

“Referuar legjislacionit përkatës në fuqi, përfshirë dispozitat përkatëse të Rregullores së procedurës dhe provave të dhomave të specializuara, Kontrollimi dhe sekuestrimi mund të bëhet si rregull pasi që ky të jetë i autorizuar nga ana e Panelit gjyqësor, sipas kërkesës së Prokurorit”

“Një gjë e tillë mund të bëhet kur në rrethanat konkrete provat nuk mund të sigurohen në mënyrë tjetër, dhe mund të bëhet në tri rrethana, si në vijim: Rrethana e parë: Kur ekziston dyshim i bazuar se personi në fjalë ka kryer, është duke kryer, ose është në prag të kryerjes së një vepre penale brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara, dhe kontrollimi do të rezultojë në arrestimin e atij personi, ose në zbulimin dhe sekuestrimin e provave të domosdoshme për hetimin; Rrethana e dytë: Kur ekziston dyshim i bazuar se kontrollimi do të rezultojë në arrestimin e një të dyshuari; apo rrethana e tretë: Kur kontrollimi është i domosdoshëm për mbledhjen dhe ruajtjen e provave për një vepër penale brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara dhe ekziston dyshim i bazuar se prova të tilla gjenden në pronën, vendndodhjen ose objektin që do të kontrollohet”

Avokati thotë se një kontrollim dhe sekuestrim mund të bëhet nga ana e Prokuroriot të Specializuar në rrethanat edhe kur personi që kontrollohet, vullnetarisht pajtohet me kryrjen e kontrollimit.

“Kurse, përjashtimisht, një kontrollim dhe sekuestrim mund të bëhet edhe nga ana e Prokurorit të Specializuar, në këto rrethana: personi në fjalë me vetëdije dhe vullnetarisht pajtohet me kryerjen e kontrollimit dhe sekuestrimin; personi në fjalë është kapur duke kryer një vepër penale brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara dhe pas ndjekjes nga afër do të arrestohet; një veprim i tillë është i domosdoshëm për të parandaluar rrezikun e menjëhershëm të një dëmi të rëndë dhe të pandreqshëm ndaj personave të tjerë ose pronës; ose është e nevojshme mbledhja e provave që rrezikohen të humbasin” deklaroi Bajraktari për “Gazeta Blic”

Ai tha se këto bastisje më shumë janë shoqëruar me pompozitet dhe ashtu sikurse puna e Speciales, ka shumë të panjohura.

“Këto janë rregullat, për të qenë i ligjshëm një veprim i tillë nga ana e Dhomave të Specializuar, por së këto të fundit, më shumë janë karakterizuar me veprime të shoqëruara me pompozitet, kurse ajo që tashmë i karakterizon këto dhoma dhe punën e tyre është përjashtimi i parimit të publicitetit, si njëri nga parimet bazë të procedurës (pas atij të legalitetit). Prandaj, sikurse pjesa dërmuese e punës së kësaj gjykate që karakterizohet me shumë të panjohura, edhe ky proces po ashtu, ka të njëjtat cilësi, andaj, me të drejt mund të lindin shumë pyetje rreth qëllimit të këtyre veprimeve” deklaroi ai për gazetën tonë.


Ardian Bajraktari, Avokat

Edhe avokati, Skënder Musa, ka treguar se si mund të kryhet procesi i bastisjeve.

Ai tha se bastisjet e fundit janë të tepërta dhe shqetësuese për faktin se kjo po ndodh tek disa njerëz që nuk janë të dyshimtë dhe as nuk e kanë penguar drejtësinë.

Musa deklaroi tutje se këto forma të bastisjeve janë të panevojshme dhe mund të jenë si rezultat i dështimit të Prokurorisë Speciale për të argumentuar pretendimet në aktakuzë

“Në praktikën juridike dhe penale në Kosovë në momentin që ngritet aktakuza, dështon hetimi penal në çështjen e caktuar që ka aktakuzë të ngritur. Me përjashtim të rasteve kur ka prova të reja ose kur pengohet drejtësia. Veç praktikës, kështu e parasheh edhe Kodi i procedurës penale i Republikës së Kosovës. Në momentin e ngritjes së aktakuzës për një çështje penale, përfundojnë hetimet, ngritet aktakuza dhe pastaj vazhdohet me procedura të tjera të cilat janë si: ngritja e aktakuzës, kundështimi i provave. Këtu kemi të bëjmë me një proces gjyqësor i cili ka marrë epilog”

“Bastisjet dhe kontrollet tek këshilltarët dhe të afërmit e presidentit, janë të tepërta dhe shqetësuese për shkak se bastisen njerëz që fare nuk janë të dyshimtë, as që kanë pengu drejtësinë dhe as që kanë kry ndonjë vepër penale që mund ta dëmtojë procesin gjyqësor. Këto forma të kontrolleve dhe bastisjeve janë të panenvojshme dhe mund të jenë edhe si rezultat i dështimit të Prokurorisë Speciale për të argumentuar pretendimet në aktakuzë. Mirëpo të gjitha këto, ajo që vlen me u cek, janë të aprovuara nga gjyqëtari dhe gjykata Speciale në rastin konkret” deklaroi Musa në një përgjigje dhënë për “Gazeta Blic”.

Skënder Musa, Avokat

Pas bastisjeve që kanë ndodhur në banesën e tij, është deklaruar ish-këshilltari i ish-presidentit Thaçi, Artan Behrami.

Behrami tha se aksioni i ditës së sotme ishte krejtësisht ‘politik’

“Edhe aksioni i sotëm është aksion politik. Ka qëllim politik dhe ka vetëm një qëllim të vetëm: t’i mbulojë dështimet e njëpasnjëshme të Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë”, tha ai, raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

Ish-këshilltari i Thaçi: Po provoni të gjeni arsyet e dështimit të Speciales nëpër shtëpitë tona

Behrami për bastisjet në shtëpinë e tij: Aksion politik i Speciales, spektakël për t’i mbuluar dështimet në Hagë