Lajme

A ia kërkoi ish-kryetari i Bordit shkarkimin e Rilind Gërvallës, flet Adi Krasta

08/19/2024 20:52
nga:Genita C

Zëvendësdrejtori i RTK’së, Adi Krasta, është pyetur nëse Bordi i RTK’së, përkatësisht ish-Kryetari i Bordit, Besnik Boletini, i kishte kërkuar shkarkimin e Drejtorit të përgjithshëm të RTK’së, Rilind Gërvallës.

Krasta tha se nuk ka pasur një kerkesë të tillë zyrtarisht.

“Jo, nuk e ka kërkuar. Por, edhe sikur ta kërkonte Kryetari i Bordit vetë, do të kishte qenë një guxim shumë i madh nga kryetari i bordit që t’i kërkojë menaxhmentit shkarkimin e njerëzve . Nuk kërkohen shkarkimet kaq kollaj”, tha Krasta në RTK.

pyetur nëse një kërkesë e tillë i është bërë në mënyrë informale, ai tha se kjo nuk ka rëndësi.

“Nuk më ka kërkuar në mënyrë të autorizuar nga bordi. Bordi është institucion unanim, pavarësisht se votohet brenda. Nuk e ka kërkuar në mënyrë formale. Në mënyrë joformale, nuk ka fare rëndësi nëse e ka kërkuar apo jo. Nuk dua të shkojë në tonalitete informale”, deklaroi ai.

Krasta tha se me Bordin ka pasur raporte shumë të mira.

“Kam pasur raporte shumë të mira. Kemi punuar bashkë jashtëzakonisht mirë”, deklaroi ai.