Lajme

A është ky fundi i Boris Johnson?!

06/07/2022 15:24
nga:Arben Manaj

Shkruan: Arben Manaj

Edhe pse ish-kryeministri legjendar britanik Winston Churchill, pati deklaruar se një votë mbi kundërshtarin quhet fitore, apo siç thonë francezët, një vezë është e mjaftueshme për mëngjes, përvoja politike në Britaninë e pasluftës së Dytë Botërore dëshmon si në rastin e gjithë kryeministrave britanik pas tij, që edhe pse kanë fituar mocionet e mosbesimit, ata janë larguar herët a vonë, pasi kështu funksion politika britanike.

Boris Johnson është sot një udhëheqës, i cili qartazi ka fituar dhe kërkon t’i vejë kapakun kësaj sage, por njësoj si Margaret Thatcher dikur apo Theresa May, edhe pse ai ka fituar me më pak se 100 vota më shumë mocionin, historia është e pamëshirshme në të tilla rastesh, ndaj pikëpyetja e madhe një dite pas mbijetesës së Johnson është: a përbën ky moment, fundin e Boris Johnson në krye të ekzekutivit britanik?

Si mund të qeverisë Boris Johnson kur një pjesë e konsiderueshme e rebelëve të partisë së tij në parlament, kanë hyrë në grevë kundër tij, dhe 40 syresh janë të bollshëm për t’i hequr atij shumicën parlamentare?

Lufta civile brenda konservatorëve pritet të ashpërsohet më shumë, pas zgjedhjeve të pritshme të pjesshme në dy zona elektorale, të cilat pritet t’i humbasin konservatorët, dy vjet e gjysmë pas fitores së tyre historike në zgjedhjet e fundit të përgjithshme.

Përpos kësaj, deputetët rebele mund të kërkojnë ndryshimin e rregullit partiak që imuniteti i kryeministrit prej një viti, të hiqet pas çdo mocioni mosbesimi, dhe gjasat janë se në një tjetër mocion, mund të kërkohet kundër Boris Johnson.

Por kjo do të kërkohet me force, nëse shihet se elektorati, siç tregojnë jo vetëm sondazhet, po lodhet gjithnjë e më shumë nga gënjeshtrat patologjike të kryeministrit dhe skandalet, por edhe nga vështirësitë aktuale, por në rritje të pritshme gjatë dimrit të ardhshëm, të standardit të jetës së britanikëve.

Për momentin, Boris Johnson mund të jetë në zyrë, në Doëning Street, por a do jetë në pushtet, pas disa muajsh? Koha do ta tregojë, por historia nuk i vjen në ndihmë Boris Johnson.