Lajme

A do të ndikojë mos lejimi i referendumit në dialogun Kosovë-Serbi? Flasin analistët

01/18/2022 09:37
nga:Q R

Njohësit e rrethanave politike kanë mendime të ndryshme sa i përket ndikimit që mund të ketë në dialogun Kosovë-Serbi, moslejimi i mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës. Sipas tyre, ndalimi i mbajtjës së referendumit ishte vendim i duhur në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, shkruan Gazeta Blic.

Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë për ‘Gazeta Blic’, se mos lejimi i referendumit të Serbisë në Kosovë nuk e përshpejton dhe as nuk e ngadalëson procesin e dialogut.

Sipas tij, me këtë veprim ju kanë treguar kufijtë BE-së se deri ku mund të shkohet me kompromise.

“Sa i përket moslejimit të referendumit besoj që janë dhënë 3 mesazhe, e para Kosova ka reflektuar pozitivisht dhe ndoshta duhet të shtrohet pyetja në Kosovë se a duhet të përfundohet dialogu shumë më shpejtë sesa ndoshta që e kanë paramenduar qeveria, përshkak të provokimeve të tilla që po vin kohë pas kohe nga pala serbe, mesazhi i dytë është për BE-në që ju kanë treguar kufijtë ndoshta se deri ku mund të shkohet me kompromise dhe ky është një mesazh që duhet analizojë shumë mirë BE-ja, pra një mesazh që duhet të reformatizohet dialogu. Kurse e treta e ka dëshmuar edhe njëherë brishtinë komplet të kushtetutës serbe, realisht kushtetuta serbe nuk ishte funksionale që të zbatohet në tërë territorin serb, sepse sipas kushtetutës serbe edhe Kosova është territor serb dhe tash me të vërtetë Serbia duhet të rimendoj të ndryshojë kushtetutën duke e larguar Kosovën nga parabola e vet kushtetuese. Nuk besoj që as do ta përshpejton as s’do ta ngadalëson dialogun, por do t’i qartësoj disa pozicione që i përmenda”, deklaron ai.

Derisa analisti politik, Shemsi Jashari, thotë për ‘Gazeta Blic’ se ndalimi i referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës do të ketë ndikim të madh në dialog, pasi që, sipas tij, Serbia do të shfrytëzoj këtë situatë për të thënë se Kosova është kundër kompromiseve.

Jashari thotë se Kosova duhet të bind aleatët se kjo ndalesë nuk ishte refuzim i kërkesave të tyre, por ishte mbrojtje e kushtetutshmërise dhe ligjshmërise së Kosovës.

“Problematika e ngritur me rastin e tentimit të Serbisë për të organizuar referendum në territorin e shtetit të Kosovës, ishte një tendencë për të provokuar dhe dëshmuar nga ana e tyre se Kosova është ende pjesë e shtetit Serb. Prandaj, ndalimi i mbajtjës së referendumit mendoj se ishte vendim i qëlluar në mbrojtje të sovranitetit dhe Kushtetutës së Kosovës. E mira e këtij vendimi ishte se pozitë dhe opozitë ishin bashkë në këtë vendim dhe kjo i jep një vlerë të shtuar.Sa i përket dialogut Kosovë- Serbi, mendoj se patjetër se kjo do të ketë ndikimin e vet, pasi Serbia si zakonisht do të mundohet ta paraqet para bashësisë ndërkombëtare se Kosova nuk është për kompromis, por e rëndësishme do të jetë të dihet qendrimi i aleatëve tanë, SHBA dhe BE, të cilët ishin njëzëri me kërkesë për të lejuar mbajtjën e këtij referendumi. Mendoj se qeveria e Kosovës, duhet të punoj shumë që raportët tona të mos zbehën dhe të bindën aletatët tanë se kjo ndalesë nuk ishte refuzim i kërkesave të tyre, por ishte mbrojtje e kushtetutshmërise dhe ligjshmërise së shtetit të Kosovës”, thotë Jashari.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të shtunën (15 janar) kanë miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.

Me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën gjatë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri, Albin Kurti.

Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.

/Gazeta Blic

LAJMI I FUNDIT: Kuvendi e miraton Rezolutën kundër mbajtjes së refrendumit të Serbisë në Kosovë