Lajme

A do të ketë ‘parime’ në fushatën elektorale të shkurtuar në parim?

09/15/2021 12:43
nga:M K

Sonte pasmesnate, gjegjësisht minutën e parë të datës 16 Shtator, edhe zyrtarisht fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 Tetorit 2021.

Përkundër situatës pandemike e rekomandimeve të IKSHPK-së, partitë politike s’e gjetën dot konsensusin për t’i shtyer ato, përcjell GazetaBlic.

Sipas ligjit për zgjedhje, KQZ nuk e ka në diskrecion mundësinë e shkurtimit të fushatës, çka do të thotë se, ashtu siç e konfirmoi dje institucioni në fjalë, do të zgjasë 30 ditë.

Megjithatë, takimet e javëve më parë mes krerëve opozitarë kanë dhënë sinjale për shkurtim të saj në parim. Por a do të ketë parime kjo fushatë e shkurtuar në parim nga “xhentelmenët” që zgjodhën për hir të shëndetit publik, t’i kushtojnë rëndësi fushatës pak ditë më pak seç ishte e paraparë?

Në fakt, Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se fushatën do ta mbajë vetëm pesë ditë, pesë sosh më pak siç kishte propozuar ditë më herët vet kreu i saj, Lumir Abdixhiku.

Vendos LDK: Fushatë veç 5 ditë

Në anën tjetër, dje në një prononcim për GazetaBlic, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu pohoi për gazetën që përkundër faktit se s’ka zyrtarizim, si parti janë të gatshëm që të abstenojnë tërërisht nga fushata.

“Parimisht ne si parti jo vetëm që jemi për atë që të shkurtohet afati kohor brenda të cilit do të bëhet fushata, gjë që e përkrahim parimisht, por edhe kemi propozuar që të abstenohet plotësisht nga fushata konvencionale, që nënkupton të mos ketë grumbullime të njerëzve me qëllim fushate elektorale të asnjë variante”, tha Abdullahu.

Në anën tjetër, poashtu për GazetaBlic, zyrtari për marrëdhënie me publikun brenda Alenancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Azemi tha se propozimin prej pesë ditësh për fushatë e dha Ramush Haradinaj, por i njëjti vazhdoi tutje duke thënë se nuk është fare e rëndësishme se i kujt është propozimi, por ajo që meriton vëmendje është të ndodhë njëmend.

“Propozimi i LDK-së ka qenë dhjetë ditë. I yni pesë sosh. LDK dhe PDK janë pajtuar. Gjithsesi, pak rëndësi ka se i kujt është porpozimi, por vendimi është i përbashkët. Fushata zgjatë pesë ditë. Këtë qëndrim e ka mbrojtur edhe nënkryetari Nitaj në takim me presidenten dje“, tha Azemi për GazetaBlic.

PDK mbështetë idenë e abstenimit total nga fushata, AAK gati edhe për pesë ditë

Por, si do të rrjedhin gjërat nesër?

A do të ketë fushatë në ditët e para? A kane plane konkrete partitë politike kosovare? Si do t’ia bëjnë?

Lidhur me këtë, gazeta ka kontaktuar me përfaqësues të partive.

Në një përgjigje të shkurtër për GazetaBlic, Betim Gjoshi nga PDK nuk ka dhënë detaje, por ka konfirmuar se Partia Demokratike do të mbajë një konferencë për media.

“Për çështjen e fushatës sot gjatë ditës do të mbajmë një konferencë për media”, ka thënë shkurtë Gjoshi për GazetaBlic.

Nga radhët e LDK-së foli shefi i shtabit zgjedhor, Arben Gashi. Ky i fundit konfirmoi se fushata e tyre në përgjithësi do të jetë në versionin “online”.

“Do të jemi me fushatë në rrjetet sociale. Pra nuk do të ketë tubime, konform masave aktuale. Veç në rrjetet sociale, që nga nesër”, tha Gashi për GazetaBlic.

Gazeta gjithashtu tentoi të flas edhe akterë të AAK-së, gjegjësisht me shefin e shtabit zgjedhor, Muharrem Nitaj, por ky i fundit ka qenë i paqasshëm.

/GazetaBlic/