Lajme

PDK mbështetë idenë e abstenimit total nga fushata, AAK gati edhe për pesë ditë

09/14/2021 18:08
nga:M K

Dje, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku konfirmoi vendimin zyrtar të partisë që ai drejton për shkurtim të fushatës, në vetëm pesë ditë.

Vendos LDK: Fushatë veç 5 ditë

Tani kanë mbetur edhe dy parti të tjera opozitare që janë pajtuar në parim ta bëjnë të njëjtën, por që ende s’e kanë vënë të zezën mbi të bardhë, duke përjashtuar këtu partinë në pushtet, Vetëvendosjen, e cila as nuk ka qenë në takime me partitë opozitare, e as kreu i saj nuk ua ka kthyer përgjigjet krerëve të tjerë politikë, përcjell GazetaBlic.

Lidhur me këtë, GazetaBlic ka kontaktuar me zëdhënësin e Partië Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahun. Ky i fundit tha se si parti, janë që e njëjta, pra fushata, të abstenohet plotësisht, duke thënë se janë që kjo si e tillë të bëhet vetëm digjitale.

“Parimisht ne si parti jo vetëm që jemi për atë që të shkurtohet afati kohor brenda të cilit do të bëhet fushata, gjë që e përkrahim parimisht, por edhe kemi propozuar që të abstenohet plotësisht nga fushata konvencionale, që nënkupton të mos ketë grumbullime të njerëzve me qëllim fushate elektorale të asnjë variante.

Për më shumë jemi për atë që kjo fushatë, gjithnjë në përputhje me vendimet dhe rekomandimet e IKSHPK, të bëhet vetëm në mënyrë digjitale, përmes mjeteve të informimit, rrjeteve sociale, thjeshtë duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë e këtyre formave të bërjes së fushatës”, tha fillimisht ai për GazetaBlic.

Ndërkaq, tutje Abdullahu shtoi se të gjitha këto masa janë në interes të qytetarëve, pra t’iu mbrohet shëndeti atyre, i cili fatkeqësisht po u rrezikohet shkaku i keqmenaxhimit nga qeverisja aktuale.

“Krejt kjo konsiderojmë se duhet të bëhet kështu, duke pasur parasysh se zgjedhjet lokale duhet të mbahen në afatin e paraparë. Jemi të bindur se kështu po e mbrojmë demokracinë dhe Kushtetutën e Kosovës e cila në rast të shtyrjes së zgjedhjeve dëmtohet.

Por mbi të gjitha me këtë qasje dhe me këto masa të propozuara, ne si opozitë jemi të bindur se mbrohet më së miri shëndeti i qytetarit të Kosovës i cili tashmë po rrezikohet pandalshëm, ndikuar drejtpërsëdrejti nga menaxhimi i keq i gjendjes pandemike nga qeveria aktuale. Mendojmë se nëse punohet shumë dhe drejtë dhe nëse ka konstruktivitet në bashkëpunim dhe ndjeshmëri morale e sociale, ky dyzim është i mundshëm dhe bashkë do t’ia dalim”, u shpreh ai.

Pesë ditë më parë, GazetaBlic kishte mësuar ekskluzivisht se krerët e partive politike, Krasniqi, Abdixhiku e Haradinaj janë takuar në një nga lokalet e kryeqyetit, ku janë pajtuar që të kundërshtojnë edhe shtyerjen e zgjedhjeve, por me fushatë minimale, për të mos qenë faktorë rritjeje rastesh me koronavirus.

LAJMI I FUNDIT: Takohen Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj

Kjo u vërtetua edhe mbrëmë, kur Vjosa Osmani, duke mos arritur që të sigurojë konsensus mes palëve, u detyrua që mos t’i shtyejë zgjedhjet lokale, ani pse në qarqet politike kosovare veçse kishin filluar të qarkullojnë zëra për një gjë të tillë.

E konfirmon Presidentja Osmani: Me 17 tetor mbahen zgjedhjet lokale!

Gjithsesi, edhe pse edhe më tutje s’ka zyrtarizim, AAK do ta bëjë fushatën ashtu siç edhe e kishte inicuar kreu i saj, Ramush Haradinaj, pra pesë ditë. Haradinaj, kishte reaguar menjëherë pas Abdixhikut, duke thënë se jo dhjetë ditë, (siç kërkoi Abdixhiku), por Aleanca kërkon që fushata të jetë vetëm pesë ditë.

Këtë e kishte thënë edhe shefi i shtabit të kësaj partie, Muharrem Nitaj, mbrëmë në takim me presidenten.

Ndërkaq zyrtari për informim dhe marrëdhënie me publikun, Ardian Azemi, në një prononcim për GazetaBlic, tha se janë edhe më tutje “pro” propozimit të tyre.

Propozimi i LDK-së ka qenë dhjetë ditë. I yni pesë sosh. LDK dhe PDK janë pajtuar. Gjithsesi, pak rëndësi ka se i kujt është porpozimi, por vendimi është i përbashkët. Fushata zgjatë pesë ditë. Këtë qëndrim e ka mbrojtur edhe nënkryetari Nitaj në takim me presidenten dje“, tha Azemi për GazetaBlic.

/GazetaBlic/