PDK ka deklaruar se do të votojë për Dimal Bashën, nëse do të jetë sërish kandidat i VV-së për kryetar Kuvendi, edhe pse në seancën e se dielës kur ai u propozua, nuk mori votë nga PDK.
Kjo e fundit kërkoi 10 minuta pauzë për konsultime, gjë që nuk iu aprovua nga kryesuesi Avni Dehari.
Nga AAK kanë thënë se nuk e kanë diskutuar emrin e Dimal Bashës, derisa kanë treguar emrat që do t’i votonin.
Lidhur me seancën e nesërme dhe mundësinë që Basha të jetë sërish kandidat, rrjedhimisht të votohet nga PDK e të kemi kryetar Kuvendi, ish diplomati Avni Arifi thotë se VV do të propozojë emra që s’kanë qenë në ekzekutiv dhe nesër mund të kemi kryetar të Kuvendit.
“Unë besoj se nëse VV do të vazhdojë të propozojë ata që s’kanë qenë në ekzekutiv, gjasat janë reale që PDK do të votojë. Nëse Kurti nuk rikthehet te Albulena apo ministrat tjerë, ne qysh nesër mund ta kemi kryetarin”, deklaron Arifi për Gazeta Blic.
Ndërsa, analistja politike, Magbule Shkodra, thotë për Gazeta Blic se nëse VV është e interesuar për zhbllokim, do ta propozojë sërish Dimal Bashën dhe do të kemi kryetar.
“PDK ka thënë se është e gatshme ta votojë Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit, atëherë të shohim nëse VV do ta propozojë atë nesër. Nëse VV ka vendosur që ta zhbllokojë situatën dhe të vazhdohet përpara, atëherë nesër do ta propozojë sërish Dimal Bashën, votat do t’i ketë dhe do të kemi kryetar Kuvendi”, vlerëson ajo.
Sipas Shkodrës, VV do ta dëshmojë se është e interesuar të vazhdojë bllokadën, nëse propozon emra që e di se nuk votohen.
“Përndryshe, nëse VV vazhdon me ndonjë propozim i cili sipas kritereve të paraqitura më herët nga PDK është i papranueshëm, atëherë vetëm sa betonohet bindja se VV nuk është e interesuar për zgjidhje por për zvarritje. Të shohim nesër kush do të propozohet”, thotë Magbule Shkodra./Gazeta Blic/


