Lajme

100 kandidatë i nënshtrohen testit për 34 pozita të prokurorëve të rinj në Kosovë

11/29/2026 13:59
nga:Genita C

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur testin me shkrim për kandidatët që kanë aplikuar në procesin e rekrutimit të 34 prokurorëve të rinj të shtetit, të cilët do të shërbejnë në prokuroritë themelore të Kosovës.

Sipas njoftimit të KPK-së, nga 34 pozitat e hapura, 10 janë të rezervuara për komunitetin serb.

Testit me shkrim, i cili u mbajt në ambientet e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, iu nënshtruan gjithsej 100 kandidatë, prej tyre 48 femra dhe 52 meshkuj.

Në mesin e kandidatëve ishin edhe tre përfaqësues të komunitetit serb dhe një kandidat nga komuniteti boshnjak.

Procesi është udhëhequr nga kryesuesi i Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, Arian Gashi, së bashku me anëtarët e tjerë të komisionit.

KPK ka bërë të ditur se hartimi i testit është realizuar në ditën e mbajtjes së tij, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtarë.

Procesi është monitoruar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET.

Sipas KPK-së, monitorimi synon të garantojë integritetin e testimit dhe të forcojë besueshmërinë në objektivitetin dhe paanshmërinë e procedurës së përzgjedhjes.

Pas përfundimit të testit me shkrim, procesi i rekrutimit do të vazhdojë me fazat e tjera, në përputhje me procedurat dhe kriteret e përcaktuara.

Këshilli Prokurorial ka theksuar se përzgjedhja e prokurorëve të rinj do të bazohet në meritë, integritet dhe kompetencë profesionale, me synimin e forcimit të kapaciteteve të sistemit prokurorial në Kosovë.