Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, njofton se sot, në Varrezat e Dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës, është rivarrosur Adem (Fazli) Ademi, mjeku i mirënjohur, humanisti, veprimtari dhe kontribuuesi i luftës për lirinë e atdheut.
“Paraprakisht, në Mitrovicë u mbajtën homazhe pranë arkivolit dhe Akademia Përkujtimore. Pas 27 vjetësh pritjeje të dhimbshme, familjarë, miq, kolegë, bashkëveprimtarë, qytetarë dhe përfaqësues institucionalë u mblodhën për të nderuar jetën dhe veprën e Dr Adem Ademit, përkushtimin e tij ndaj profesionit, humanizmin dhe kontributin e çmuar për çështjen kombëtare. Doktor Adem Ademi u rrëmbye dhe u zhduk me dhunë nga forcat serbe më 19 prill 1999, së bashku me qytetarë dhe intelektualë të tjerë nga Mitrovica, Skenderaj dhe Vushtrria, të njohur si “Grupi i Intelektualëve””, njofton Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Në këtë ditë dhimbjeje dhe nderimi, qëndrojmë pranë familjes Ademi dhe të gjitha familjeve që ende presin të mësojnë fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.
“Mirënjohje familjeve të viktimave të zhdukjes me dhunë dhe shoqatave familjare për qëndresën, dinjitetin dhe angazhimin e palodhshëm e bashkëpunimin në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë”, njofton Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera të angazhuara në këtë proces, mbetet i përkushtuar për zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës dhe për të vërtetën e plotë.

