Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka uruar shqiptarët për 28 Nëntorin, duke kujtuar ngjarjet dhe figurat historike që, sipas tij, dëshmojnë bashkimin e shqiptarëve përtej dallimeve krahinore dhe fetare.
Në një postim në Facebook, Konjufca ka rikthyer kujtime nga kremtimet e 28 Nëntorit në Bukuresht, përmes përshkrimeve të poetit Lasgush Poradeci, si dhe ka kujtuar Kongresin e Manastirit dhe kontributin e figurave si At Gjergj Fishta dhe Hafëz Ibrahim Efendiu.
Ai ka përmendur edhe mësuesin Sali Gjuka nga Peja, i cili ishte njëri nga nënshkruesit e Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë më 1912.
Konjufca ka kujtuar gjithashtu komandantin Adem Jashari, i cili lindi më 28 nëntor 1955, si dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997.
“Le të na bashkojë gjithnjë 28 Nëntori, ashtu siç i bashkoi flamuri toskë e gegë në Bukuresht, siç i lidhi vetëdija kombëtare myslimanët e të krishterët në Manastir, siç i afroi dashuria për kombin shqiptarët nga Peja në Shkup e deri në Vlorë dhe siç na bashkuan qëndresa e flijimi i familjes Jashari në përpjekjen për të jetuar të lirë nën të njëjtin flamur kombëtar”, ka shkruar Konjufca.
Ai e ka përmbyllur mesazhin me urimin: “Gëzuar 28 Nëntorin, motra e vëllezër shqiptarë!”.
Postimi:
Në kujtimet e tij për kremtimet e 28 Nëntorit në Bukuresht, poeti ynë i madh Lasgush Poradeci përshkruan flamurin e mëndafshtë kuq e zi që qëndronte në oborrin e kishës shqipe. Ishte aq i rëndë, thotë Lasgushi, sa e mbanin përherë dy veta, “njëri tosk e tjetri gegë”. Flamuri u përkiste njësoj të dyve, ashtu siç i përkisnin shqipes dialektet e tyre.
Në Kongresin e Manastirit më 1908, At Gjergj Fishta, përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës, e çoi fjalën nga çështja e alfabetit te fati i Shqipërisë. U foli të pranishmëve për rrezikun e copëtimit të saj dhe për gatishmërinë e shqiptarëve për ta mbrojtur. Sipas kujtimeve të Gjergj Qiriazit, teksa dëgjonin Fishtën të fliste për një atdhe që e ndienin njësoj të tyrin, në sallë u emocionuan të gjithë. Kur Fishta zbriti nga foltorja, Hafëz Ibrahim Efendiu, hoxhë shqiptar nga Shkupi, e përqafoi me lot në sy. Një frat e një hoxhë po merrnin përsipër së bashku një punë që do t’u vlente fëmijëve të të gjitha besimeve, kur të uleshin në bankat e shkollës e të hapnin abetaren shqipe.
Në Shkup, në qytetin prej nga vinte Hafëz Ibrahim Efendiu, mësuesi Sali Gjuka nga Peja ua mësonte shqipen nxënësve të Normales e të Gjimnazit. Më 28 nëntor 1912, kur vuri emrin e vet nën Aktin e Pavarësisë në Vlorë, mësuesi nga Peja mbante me vete fjalën e Gjakovës, Plavës e Gucisë, si dhe të qytetit të tij. Katër vise i kishin besuar atij të drejtën të fliste e të vendoste në emër të tyre.
Si të ishte një ndërhyrje hyjnore, më 28 nëntor 1955 lindi Komandanti ynë Legjendar Adem Jashari, që u flijua bashkë me familjen e tij për ta çuar deri në fund rrugën e lirisë të nisur në Vlorë. Pikërisht në ditëlindjen e tij, më 28 nëntor 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilën ai e udhëhoqi, doli për herë të parë publikisht nën të njëjtin flamur kuqezi.
Le të na bashkojë gjithnjë 28 Nëntori, ashtu siç i bashkoi flamuri toskë e gegë në Bukuresht, siç i lidhi vetëdija kombëtare myslimanët e të krishterët në Manastir, siç i afroi dashuria për kombin shqiptarët nga Peja në Shkup e deri në Vlorë dhe siç na bashkuan qëndresa e flijimi i familjes Jashari në përpjekjen për të jetuar të lirë nën të njëjtin flamur kombëtar.
Flamurin kuqezi e kemi marrë me vete kudo ku na ka çuar jeta. Kudo që e ngremë, Shqipërinë e kremtojmë me dashurinë që kemi për atë që na përket të gjithëve.
Gëzuar 28 Nëntorin, motra e vëllezër shqiptarë!


