Lajme

Arbnora Fejza-Idrizi mahnit sërish me artin e saj: 10 mijë pjesë origami për një shqiponjë gjigante kuq e zi

11/27/2026 15:18
nga:Mergim Rreci

Artistja e origamisë dhe rekordmenja botërore nga Skënderaj, Arbnora Fejza-Idrizi, ka prezantuar një punim të veçantë artistik në prag të festës së 28 Nëntorit, duke sjellë një krijim unik në formën e shqiponjës kuq e zi, simbolit kombëtar shqiptar.

Ky punim mbresëlënës, me një sipërfaqe prej rreth 6 metrash katrorë, është realizuar me plot 10.000 pjesë origami, duke dëshmuar edhe një herë talentin, kreativitetin dhe përkushtimin e artistes ndaj artit të punuar me dorë.

Secila pjesë origami përmban nga tri palosje, që në total përbëjnë rreth 30.000 palosje të realizuara me kujdes dhe precizitet. Përveç letrës, në këtë krijim janë përdorur edhe materiale të ricikluara dhe elemente të ndryshme dekorative, të cilat i japin punimit një pamje të veçantë.

Për realizimin e shqiponjës janë përdorur:

Rreth 10.000 pjesë origami;

Rreth 30.000 palosje të teknikës së origamisë;

Mbi 30 metra fije të kuqe;

Afërsisht 200 kopsa apo pulla dekorative;

Rreth 300 shkopinj me ngjyra.

Ky është edhe një tjetër punim i mrekullueshëm i Arbnora Fejza-Idrizit, e cila vazhdon të dëshmojë se arti, kreativiteti dhe përkushtimi nuk kanë kufij, madje ka fituar edhe çmime e vendosur gjithashtu edhe rekorde ndërkombëtare.

/GazetaBlic/