Lajme

Bordi i AKP-së merr disa vendime për shitje dhe likuidime, transferon mbi 437 mijë euro në Buxhetin e Kosovës

11/27/2026 14:54
nga:L J

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e rregullt, në të cilën u shqyrtuan dhe miratuan një sërë vendimesh me rëndësi për përmbushjen e mandatit të saj.

Sipas një njoftimi për media thuhet se në kuadër të bashkëpunimit institucional, Bordi aprovoi Marrëveshjen e bashkëpunimit mes Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe Agjencisë së privatizimit, ku qëllimi i kësaj Marrëveshjeje është përcaktimi i kornizës së bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet AKKVP-së dhe AKP-së për mbështetjen e AKKVP-së në ushtrimin e mandatit të saj ligjor për trajtimin e kërkesave për njohjen ligjore dhe formalizimin e të drejtave pronësore, përmes shkëmbimit të informatave për ekzistimin e procedurave dhe vendimeve që ndërlidhen me palët, në përputhje me kompetencat ligjore të palëve dhe legjislacionin në fuqi.

“Më pas Bordi shqyrtoi dhe miratoi kërkesën nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për Miratimin e vazhdimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Agjencisë për financimin e Ofruesve të Shërbimeve për nevojat e administratës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç thuhet në njoftim Bordi aprovoi qiradhënien e hapësirave reklamuese të Qendrës së Skijimit “Brezovica”, sipas hapësirave, çmimeve dhe kushteve të përcaktuara në rekomandimin e Bordit të Qendrës së Skijimit dhe dokumentacionin mbështetës, pas zbatimit të procedurës përkatëse të qiradhënies.

Bordi ka aprovuar transferimin e shumës prej € 437,109.30 nga “Fondet e Mbetura” të likuidimit në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës, në llogari të veçanta në Thesarin e Kosovës. Duke përfshirë shumën e mësipërme, deri më tani në “Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës” AKP ka transferuar mbi 398 milionë euro të fondeve të likuidimit të Ndërmarrjeve Shoqërore: Sa i përket procesit të shitjeve direkte Bordi shqyrtoi raportet fillestare rekomanduese e që pas shqyrtimit aprovoi si 8 kërkesa, kurse 26 kërkesa u refuzuan dhe 1 kërkesë u shty për mbledhjen e ardhshme për harmonizim të mëtutjeshëm. Po ashtu u miratua 1 raport përfundimtar i shitjes direkte përfshirë çmimi i shitjes si dhe është autorizuar vazhdimi me procedurat e përmbylljes së shitjes”.

Lidhur me përcaktimin e statusit Bordi aprovoi raportin e Komisionit përkatës dhe u vendos që SDR/KPS 1403-PRN012 KB “Përparimi” Arllat si dhe çdo aset i ndërmarrjes që do të identifikohet në të ardhmen në territorin e Kosovës janë në pronësi shoqërore dhe bien nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Në fushën e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, Bordi miratoi inicimit të procedurave të likuidimit për NSh/Asetin MIT167 “Të Mirat Furnizuese të Ndërmarrjes Trepça” – Mitrovicë. Bordi po ashtu miratoi buxhet shtesë për 2 ndërmarrje shoqërore NSH Derma Commerce MIT038dhe NSH Elan MIT012 pasi që për të njëjtat ende nuk kanë përfunduar procedurat e likuidimit.

Agjencia Kosovare e Privatizimit mbetet e përkushtuar që, në përputhje me mandatin e saj ligjor, të avancojë proceset e privatizimit, likuidimit dhe administrimit të aseteve shoqërore në mënyrë transparente, profesionale dhe në funksion të mbrojtjes së interesit publik.