Lajme

Shiroka-Pula takohet me homologun kroat, flasin për prespektivën evropiane të Kosovës

11/27/2026 14:48
nga:L J

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanović, në kuadër të Procesit Brdo–Brijuni, që po mbahet në Ohër.

Shiroka Pula vlerësoi rolin e Kroacisë në themelimin dhe zhvillimin e kësaj nisme rajonale, si dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në mbështetje të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ajo theksoi se ky proces përbën një platformë të rëndësishme për dialog politik, koordinim rajonal dhe avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës.

Duke folur për rrugën evropiane të Kosovës, Presidentja theksoi se orientimi euroatlantik i vendit mbetet i palëkundur.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Presidentja theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet prioritet strategjik dhe se ky hap do të kontribuonte në sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm të gjithë rajonit.

Ajo vlerësoi marrëveshjen trepalëshe të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë, të nënshkruar më 18 mars 2025, si një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe ndërveprueshmërisë.

Presidentja theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në fushën e ekonomisë, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe krijimit të mundësive të reja për investime.