Kryetari i komisionit për çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Kuvendin e Kosovës, Mefail Bajqinovci ka kritikuar takimin e KFOR-it me ushtarakë serbë në Prishtinë.
Bajqinovci ka thënë se realiteti i Kosovës ka ndryshuar dhe se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me institucione legjitime dhe përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të saj.
“Mekanizmat teknikë të krijuar në vitin 1999 nuk mund të paraqiten sikur e përkufizojnë sot pozitën politike të Kosovës apo sikur institucionet e saj të mos jenë pjesë e çështjeve që lidhen me sigurinë në vend. Nuk e vëmë në dyshim rëndësinë e komunikimit ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve ushtarakë serbë për parandalimin e incidenteve. Megjithatë, publikimi i një takimi të tillë me gjuhën e “respektit të ndërsjellë”, pa ndjeshmëri ndaj realitetit dhe historisë sonë të afërt, është politikisht i papërshtatshëm dhe i pandjeshëm”, ka thënë ai .
Kjo ndjeshmëri sipas tij është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur Kosova vazhdon të kërkojë personat e zhdukur me dhunë dhe të përballet me dëshmitë e krimeve të kryera nga forcat serbe, përfshirë varrezat masive të viktimave të vrara nga pjesëtarë që mbanin uniformën e ushtrisë serbe.
“Për familjet e viktimave dhe për qytetarët tanë, këto nuk janë çështje të së kaluarës së largët; ato kërkojnë drejtësi, përgjegjësi dhe respekt. KFOR-i duhet të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe transparente, duke mbajtur komunikim të rregullt me institucionet e Republikës së Kosovës. Çdo mekanizëm sigurie që lidhet me Kosovën duhet ta pasqyrojë realitetin e sotëm dhe të mos krijojë përshtypjen se Kosova mund të trajtohet pa përfshirjen e institucioneve të saj”, ka thënë Bajqinovci.


