Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, nga sot lëshon në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull “Trashëgimia kulturore – Altarët nga periudha e Neolitit”.
Altari ka formën e një pjate dhe mbështetet mbi katër këmbë. Është i punuar nga argjila e pjekur, me ngjyrë gri në të kafe të errët. Sipërfaqja e jashtme është e zbukuruar me gravura vijash paralele të pjerrëta, si dhe me motive të realizuara përmes përdorimit të një mjeti trekëndor.
Altarët neolitikë, të njohur edhe si tavolina kulti, ishin objekte me karakter ritual, të lidhura me besimet dhe praktikat shpirtërore të komuniteteve të lashta. Ata dëshmojnë zhvillimin e jetës kulturore dhe shpirtërore të njeriut gjatë kësaj periudhe.
Altari i përket periudhës së Neolitit të Hershëm (mijëvjeçari VII–VI p.e.s.) dhe është zbuluar në Runik, në territorin e Komunës së Skenderajt.
Ky emision filatelik është realizuar në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës, institucionin që e ruan këtë artefakt, i cili përfaqëson një vlerë të rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore.
Posta e Kosovës fton qytetarët, koleksionistët dhe bizneset që ta bëjnë pjesë të koleksioneve dhe dhuratave të tyre këtë emision të veçantë filatelik, i cili përmes pullave postare sjell dëshmi të trashëgimisë sonë të lashtë dhe promovon vlerat kulturore e historike të Kosovës.


