Strobe Talbott, ish-zëvendëssekretar i Shtetit i SHBA-së, gazetar dhe ish-president i Institutit Brookings, ka vdekur në moshën 80-vjeçare.
Talbott ndërroi jetë në qytetin Springs, në shtetin e New York, ka konfirmuar bashkëshortja e tij.
Ai ishte një nga figurat më me ndikim në politikën e jashtme amerikane gjatë viteve ’90, veçanërisht në marrëdhëniet me Rusinë dhe në proceset diplomatike që lidhen me Kosovën dhe Bosnjën, shkruan theguardian.
Talbott kishte punuar për më shumë se dy dekada në revistën “Time”, kryesisht si korrespondent nga Moska. Kjo përvojë i hapi rrugën drejt politikës së jashtme amerikane, pasi presidenti Bill Clinton e emëroi në Departamentin e Shtetit në vitin 1993, menjëherë pas ardhjes së tij në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë mandatit të tij si zëvendëssekretar i Shtetit, Talbott luajti rol të rëndësishëm në procesin që çoi drejt nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Ai ishte gjithashtu një nga arkitektët e të ashtuquajturave “Pushtete të Bonit”, të cilat i dhanë përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar në Bosnjë kompetenca të gjera për zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Roli i tij në përfundimin e luftës në Kosovë
Talbott ishte pjesë e treshes diplomatike, së bashku me diplomatin finlandez Martti Ahtisaari dhe atë rus Viktor Chernomyrdin, e cila në vitin 1999 zhvilloi negociata me presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë, Slobodan Milosheviq, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
Së bashku me Ahtisaarin dhe Chernomyrdinin, ai ishte një nga figurat kryesore në hartimin e Marrëveshjes së Kumanovës dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Pas përfundimit të luftës, Talbott mori pjesë edhe në negociatat për çështjen e pranisë ushtarake ruse në Kosovë.
Bëhej fjalë për njësinë ruse që, në një lëvizje të papritur për NATO-n, kishte hyrë në aeroportin e Prishtinës përpara mbërritjes së trupave britanike. Pas negociatave, kjo njësi u bë pjesë e KFOR-it.
Pse nuk u bë sekretar i Shtetit?
Pavarësisht ndikimit të tij në politikën e jashtme amerikane, Talbott nuk arriti asnjëherë të emërohej sekretar i Shtetit.
Një nga arsyet ishte kundërshtimi i konservatorëve amerikanë, të cilët e akuzonin se kishte qëndrim tepër të afërt ndaj Rusisë dhe se kritikonte Izraelin pa arsye të mjaftueshme.
Në vitin 1997, në këtë pozitë u emërua Madeleine Albright.
Para karrierës në administratën amerikane, Talbott kishte përkthyer edhe kujtimet sekrete dhe kontroverse të ish-liderit sovjetik Nikita Hrushov, të shkruara gjatë kohës kur ai ndodhej në arrest shtëpiak. Moska kishte vënë disa herë në pikëpyetje autenticitetin e librit dhe e kishte akuzuar Talbottin se ishte agjent i CIA-s.
Pas largimit nga Departamenti i Shtetit, ai u bë president i Institutit Brookings, një prej organizatave më të njohura amerikane për hulumtime dhe analiza të politikës publike. /Telegrafi/


