Në hyrje të fshatit Negroc të Drenasit është përuruar të enjten obelisku kushtuar Jakup Krasniqit, ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në kuadër të ceremonisë është bërë edhe zbulimi i mbishkrimit me tri shkronjat “UÇK”, të vendosura në pjesën e sipërme të obeliskut.
Në objektin përkujtimor janë vendosur edhe fotografi të Jakup Krasniqit dhe komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, ndërsa në pjesën qendrore të tij shkruhet: “Mirë se vini në Negroc, fshatin e Jakup Krasniqit”.
Përurimi i obeliskut vjen si një nderim për figurën e Krasniqit, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë, ku po gjykohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Krasniqi kishte qëndruar për katër ditë në Kosovë, pasi Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara kishte miratuar kërkesën për vizitë humanitare.
Ai kishte arritur në Kosovë më 18 nëntor, ndërsa pas përfundimit të vizitës ishte kthyer në Hagë.
Dhomat e Specializuara kishin bërë të ditur se kjo ishte vizita e 15-të e një personi të paraburgosur në Kosovë, e urdhëruar nga gjykatësit për arsye humanitare dhe e organizuar nga vetë gjykata.
“Jakup Krasniqi u kthye sot në Hagë pas vizitës së urdhëruar nga Trupi Gjykues për arsye humanitare bindëse”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Krasniqi kishte qëndruar pranë familjes së tij në Prishtinë, ndërsa netët i kishte kaluar në objektin e EULEX-it në Fushë Kosovë. Vizita ishte zhvilluar nën masa të veçanta sigurie.


