Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar rishpërndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, në favor të vendeve që kanë shënuar përparimin më të madh në zbatimin e agjendës së reformave.
Ajo e bëri këtë njoftim në përfundim të samitit BE-Ballkani Perëndimor, të mbajtur të mërkurën në Bruksel.
“Sa i përket Planit të Rritjes, ne jemi shumë të interesuar që fondet e qasshme të përdoren. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi, sepse paratë janë në dispozicion dhe duhet të investohen për të arritur rezultate”, deklaroi von der Leyen në një konferencë për media.
Ndonëse nuk i përmendi emrat e vendeve, burime të Radios Evropa e Lirë brenda Bashkimit Evropian kanë konfirmuar në mënyrë jozyrtare se fondet shtesë do t’i përfitojnë Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Bëhet fjalë për paratë që Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina i kanë humbur përgjithmonë, për shkak të mospërmbushjes së reformave.
Këto tri vende kanë humbur në mënyrë të pakthyeshme një pjesë të fondeve nga Plani i Rritjes, pasi nuk i kanë respektuar afatet për zbatimin e reformave. Ende nuk dihen shumat e sakta, përkatësisht sa para ka humbur secili prej tyre dhe sa fonde shtesë do të përfitojë secili prej tri vendeve të tjera.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është paketa më ambicioze financiare e BE-së për rajonin. Ai kap vlerën e gjashtë miliardë eurove, prej të cilave dy miliardë janë grante, ndërsa katër miliardë kredi me kushte të favorshme. Qëllimi i tij është t’i afrojë vendet e rajonit me Tregun e Përbashkët të BE-së dhe të përshpejtojë rritjen e tyre ekonomike.
Fondet ndahen dy herë në vit, vetëm pasi vendet t’i zbatojnë reformat e dakorduara në agjendat e tyre përkatëse të reformave. Të gjitha reformat kanë afate të përcaktuara kohore dhe fondet humbin përgjithmonë nëse këto afate nuk respektohen.
Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Bruksel në kuadër të samitit të rregullt me Bashkimin Evropian, i cili shërbeu edhe si mundësi që institucionet evropiane të riafirmojnë përkushtimin ndaj politikës së dyerve të hapura për vendet e rajonit, me kusht që ato të shënojnë përparim në reformat e nevojshme për afrimin me strukturat evropiane.


