Lajme

Mbrojtja e Thaçit rezervon të drejtën për të apeluar dënimin për pengim të drejtësisë

11/24/2026 15:09
nga:Genita C

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, rezervoi të drejtën për ta apeluar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, me të cilin ai u dënua me 17 muaj burgim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Mbrojtja vuri në pikëpyetje, në veçanti, vendimin e gjykatës që ky dënim të mos kryhet njëkohësisht me dënimin prej 25 vjetësh burgim për krime lufte, si dhe mënyrën e llogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim.

Në një parashtresë të dorëzuar më 23 nëntor, avokatja e Thaçit, Sophie Menegon, argumentoi se klienti i saj do ta kishte vuajtur tashmë dënimin për pengim të drejtësisë, nëse do t’i ishte njohur koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në këtë rast.

Thaçi ishte njoftuar për këtë fletarrestim më 5 dhjetor 2024, kur edhe ndodhej në paraburgim në Hagë, në kuadër të procesit gjyqësor për krime lufte.

“Po t’i ishte njohur zotit Thaçi koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në Rastin 12, dënimi i tij në këtë rast do të konsiderohej i vuajtur dhe ai do të ishte liruar”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes.

Një lirim i tillë, megjithatë, do të vlente vetëm për rastin e pengimit të drejtësisë dhe nuk do të nënkuptonte largimin e Thaçit nga objekti i burgut në Hagë, për shkak të procedurës së veçantë për krime lufte.

Në aktgjykimin e 17 nëntorit, gjykatësi Christopher Gosnell vlerësoi se koha e kaluar në paraburgim në bazë të dy fletarrestimeve të ndara, nuk mund të llogaritej për dy dënime të shqiptuara për vepra që nuk ndërlidhen me njëra-tjetrën.

Për këtë arsye, ai vendosi që dy dënimet të mos kryhen njëkohësisht.

Parashtresa e mbrojtjes vjen pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi, më 16 nëntor, vazhdimin e paraburgimit të Thaçit në rastin për pengim të drejtësisë.

Mbrojtja kishte afat deri më 23 nëntor për t’iu përgjigjur kësaj kërkese.

Menegon bëri të ditur se mbrojtja nuk synonte të paraqiste argumente të veçanta lidhur me vazhdimin e paraburgimit në atë datë, por se rezervonte të drejtën për ta apeluar aktgjykimin, në përputhje me nenin 46 të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Kjo përfshin edhe kundërshtimin e vendimit për mënyrën e vuajtjes së dy dënimeve dhe llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim.

Për çfarë u dënua Thaçi?

Më 17 nëntor, Gjykata Speciale e shpalli Thaçin fajtor për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Sipas gjetjeve të gjykatës, Thaçi, gjatë vizitave që kishte pranuar në objektin e paraburgimit në Hagë më 2023, kishte zbuluar informacione konfidenciale për dëshmitarët në procesin gjyqësor për krime lufte dhe kishte dhënë udhëzime lidhur me dëshmitë e tyre.

Në këtë rast, fajtorë u shpallën edhe ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Fazliu, dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Smakaj dhe Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim, por u liruan pas shqiptimit të aktgjykimit, pasi koha e kaluar në paraburgim mbulonte tërësisht dënimet e tyre.

Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht, ndërsa i akuzuari tjetër në këtë rast, Isni Kilaj, u shpall i pafajshëm.

Prokuroria kishte kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin.

Dy dënime brenda dy muajsh

Aktgjykimi i 17 nëntorit ishte i dyti ndaj Thaçit brenda dy muajsh.

Më 16 shtator, në procesin gjyqësor kundër katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjykata Speciale e dënoi ish-presidentin e Kosovës me 25 vjet burgim për krime lufte.

Në të njëjtin proces, ish-kryetarët e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, u dënuan me 25, përkatësisht 18 vjet burgim, ndërsa ish-deputeti Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

Të katërt u shpallën fajtorë për krime lufte, por të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.

Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023.

Afati për dorëzimin e njoftimeve për apel kundër aktgjykimit të 16 shtatorit është 27 nëntori.

Nëse të dyja dënimet ndaj Thaçit mbeten në fuqi, ashtu si edhe vendimi për të mos i vuajtur ato njëkohësisht, kohëzgjatja e përgjithshme e dënimeve të shqiptuara ndaj tij do të jetë 26 vjet e pesë muaj burgim.

Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u themeluan më 2015, me vendim të Kuvendit të Kosovës.

Ato janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por funksionojnë në Hagë të Holandës dhe kanë personel ndërkombëtar. /REL