Legjenda e Manchester United, Gary Neville, i ka bërë thirrje familjes Glazer të shesë aksionet e saj në klub dhe të largohet nga menaxhmenti i tij.
Ish-kapiteni i Djajve të Kuq beson se pronarët amerikanë kanë pasur kohë të mjaftueshme, por nuk kanë arritur të përmirësojnë fatin e ekipit.
“Ata duhet të shesin tani. Më vjen keq, por koha ka ardhur”, tha Neville në podcastin Stick to Football.
“Ata ia kanë besuar departamentin e futbollit Ineos, po përpiqen ta menaxhojnë atë pjesë të klubit, por kanë pasur vështirësi për tre vjet tani dhe duket se edhe këtë sezon do të jetë njësoj. Familja Glazer është shumë popullore në Tampa, Florida. Nga sa dëgjoj, ata marrin pjesë në të gjitha ndeshjet e NFL-së, por në 20 vitet e fundit mezi kanë shkelur në Old Trafford”, shtoi ish-mbrojtësi i djathtë.
“Mjaft më. Klubi është në borxhe, nuk ke shpenzuar asnjë qindarkë për stadiumin dhe tani po përpiqesh të marrësh hua dy miliardë paund për një objekt pa e ditur as se si do t’i marrësh ato para”, tha Neville.
“Pati 13-14 vjet dështime në departamentin e futbollit, pastaj ia transferuat përgjegjësinë dikujt tjetër. Kjo është absurde. Ju nuk morët përgjegjësi dhe tani gjërat kanë arritur në një pikë ku duhet ta shisni klubin”, përfundoi ai.
/GazetaBlic Sport


