Sporti

Guti ngre dyshime për Topin e Artë: Gjithçka duket e paracaktuar!

10/27/2026 09:19
nga:Mergim Rreci

Ish-futbollisti i Real Madridit, Guti, ka ngritur dyshime lidhur me ndarjen e Topit të Artë, duke vënë në pikëpyetje disa nga rrethanat që shoqëruan ceremoninë dhe fitoren e Harry Kane.

Guti ka vënë në dukje faktin se ceremonia e 70-vjetorit të çmimit u mbajt në Londër, duke e konsideruar të çuditshme që fitues doli një futbollist anglez.

“Për koincidencë, në 70-vjetorin e çmimit, ceremonia zhvendoset në Londër dhe fitues bëhet dikush nga Londra. Çfarë rastësie, apo jo?”, është shprehur ai, sipas deklaratave që i atribuohen në mediat sportive.

Ish-mesfushori spanjoll ka komentuar gjithashtu reagimin e Kane në momentin kur u shpall fitues, duke pretenduar se sulmuesi nuk dukej sikur e priste këtë rezultat. Sipas Gutit, anglezi mund të ketë menduar se Lamine Yamal dhe Kylian Mbappe do të renditeshin përpara tij.

“Kur shpallën Harry Kane, a e patë fytyrën e tij? Ai nuk e kishte imagjinuar kurrë se do ta fitonte. Mendoj se priste që Lamine Yamal dhe Mbappe të ishin përpara tij”, thuhet në deklaratën që i atribuohet Gutit.

/GazetaBlic Sport/