Bayern Munich po tregon interes të madh për mesfushorin e Barcelonës, Dani Olmo, dhe sipas raportimeve të fundit, gjiganti gjerman po shqyrton hapa konkretë për transferimin e reprezentuesit spanjoll.
Sipas gazetarit të specializuar për transferime, Ekrem Konur, Bayern po përgatit një ofertë në vlerë prej 90 milionë eurosh, me synimin për të bindur Barcelonën dhe vetë lojtarin për një transferim të mundshëm.
Interesimi i bavarezëve për Olmon nuk është i ri. Disa javë më parë, Sky Sports raportoi se spanjolli ishte në mesin e objektivave të Bayernit në rast të një largimi të mundshëm të Michael Olises ose Jamal Musialas.
Klubi gjerman synon të përforcojë repartin ofensiv gjatë afatit kalimtar të dimrit, me fokus të veçantë te shtimi i kreativitetit dhe alternativave në sulm. Olmo përputhet me këtë profil, pasi është një futbollist polivalent që mund të aktivizohet pas sulmuesit, por edhe në të dy krahët.
Pavarësisht interesimit, deri më tani Bayern Munich nuk ka bërë ofertë zyrtare në drejtim të Barcelonës. Megjithatë, sipas raportimeve nga Gjermania, drejtuesit e klubit bavarez tashmë po përgatisin detajet e një oferte të mundshme.
Olmo, ndërkohë, ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2030 dhe nuk ka shfaqur deri më tani ndonjë dëshirë për t’u larguar nga Camp Nou.
Nëse oferta prej 90 milionë eurosh materializohet, ajo mund të hapë një nga temat më interesante të merkatos së ardhshme, por për momentin bëhet fjalë vetëm për interesim dhe një ofertë të mundshme, jo për një marrëveshje të arritur.
/GazetaBlic Sport/


