Sporti

Kosova – Austria, kjo është vlera financiare e dy kombëtareve

10/04/2026 14:56
nga:Mergim Rreci

Kosova dhe Austria përballen sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në një ndeshje ku dy përfaqësueset synojnë fitoren e dytë në këtë kampanjë të Ligës së Kombeve.

Përveç rëndësisë sportive, përballja mes dy skuadrave sjell edhe një tjetër krahasim interesant – atë të vlerës së futbollistëve.

Sipas të dhënave të “Transfermarkt”, përfaqësuesja e Kosovës ka një vlerë të përgjithshme prej 141.05 milionë eurosh.

Në anën tjetër, Austria vlerësohet me 261.80 milionë euro. Kjo do të thotë se diferenca mes dy skuadrave është rreth 120.75 milionë euro.

Te Kosova, ndër futbollistët më të vlefshëm janë Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu, me nga 30 milionë euro, ndërsa Albian Hajdari vlerësohet me 25 milionë euro.

Edon Zhegrova ka një vlerë prej 10 milionë eurosh, ndërsa portieri Arijanet Muric vlerësohet me 7.5 milionë euro. Kapiteni Vedat Muriqi, ndërkohë, ka një vlerë të tregut prej 7 milionë eurosh.

Austria kryeson në këtë aspekt me Konrad Laimer, i cili vlerësohet me 32 milionë euro. Pas tij renditen Nicolas Seiwald me 25 milionë dhe Paul Wanner me 22 milionë euro.

Në listën e austriakëve më të vlefshëm janë edhe Carney Chukwuemeka, David Affengruber dhe Kevin Danso, të cilët vlerësohen me nga 20 milionë euro.

Shifrat e tregut tregojnë një epërsi të theksuar financiare të Austrisë, por në futboll vlera e lojtarëve nuk garanton rezultatin.

Përgjigjen përfundimtare do ta japë fusha e “Fadil Vokrrit”, aty ku Kosova do të kërkojë të shfrytëzojë faktorin vendas dhe të marrë një rezultat pozitiv përballë Austrisë.

/GazetaBlic Sport/