Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Tasholli është rehatuar në post publik rreth një vit pasi aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje.
Tasholli, i cili ndërroi tri parti në tri vitet e fundit, është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, tregojnë rezultatet e konkursit të publikuara të enjten nga Ministria e Digjitalizimit.
Tasholli është renditur i pari në listë me 77.6 pikë, kurse i dyti ka mbetur Lulzim Ejupi me 71 pikë.
Sekretari i ri i Ministrisë së Shëndetësisë ka një karrierë të gjatë politike, të lidhur ngushtë me ndërrim të subjekteve politike. Ai ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku shërbeu si deputet në Kuvendin e Kosovës në vitet 2019–2021.
Në vitin 2023, Tasholli aderoi në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku u nominua si kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit. Në mes të garës zgjedhore, ai u tërhoq nga AAK-ja dhe aderoi në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje. /Paparaci.com


