Sporti

Muriqi: Si kapiten ju kërkoj falje për rastin e humbur dhe për gjithë lojën

09/27/2026 20:57
nga:Genita C

Kosova pësoi humbje 3-1 ndaj Austrisë, ndërsa pas ndeshjes foli kapiteni i “Dardanëve”, Vedat Muriqi.

Muriqi pranoi se skuadra nuk ishte në nivelin e duhur në momentet vendimtare të ndeshjes, ndërsa mori përgjegjësinë edhe për rastin e humbur në fillim të takimit.

“E kemi ditur që do të kishim një kundërshtar të fortë. Kishim më shumë se 15 mijë shqiptarë me vete dhe pata rastin në fillim. Nëse do të kisha shënuar, tash do të kishim folur ndryshe. Më vjen keq për atë rast”, deklaroi Muriqi për Klan Kosova.

“Nuk kemi bërë pasimin final sot për ta shndërruar në gol. Aty kemi çaluar pak. Goli i dytë erdhi në një moment jo të mirë. Aty pak e lëshuam dhe kjo nuk bën të ndodhë”, tha ai.

“Ju kërkoj falje, si kapiten, për rastin dhe për gjithë lojën. I besoj ekipit tim dhe do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën për Kosovën”, përfundoi Muriqi.

/GazetaBlic Sport