Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të partisë për zhvillimet e fundit politike dhe qëndrimin e PDK-së lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të vendit.
Hamza tha se situata politike pas 16 shtatorit ka ndryshuar dhe se, për rrjedhojë, edhe PDK-ja do t’i përshtatë qëndrimet e saj në raport me zhvillimet e reja. Sipas tij, çështjet që lidhen me Presidentin nuk duhet të shihen vetëm në kontekstin e zhvillimeve të kaluara apo të individëve të caktuar, por në raport me interesat dhe stabilitetin e shtetit.
“Jemi në rrethana të reja. Jemi në rrethana të reja, jemi në gjendje të re, një gjendje që nuk ka të bëjë veç me të kaluarën, nuk ka të bëjë me individë, ka të bëjë me shtetin dhe ka të bëjë me të ardhmen e shtetit. Dhe mbi bazën e këtyre rrethanave të reja ne normalisht se i ndërrojmë edhe i përshtatim edhe qëndrimet tona për çështje të cilat kanë të bëjnë me të ardhmen dhe me stabilitetin e shtetit”, tha Hamza.
Hamza tha se se është i gatshëm të zhvillojë takime me liderët e partive politike, dhe se tashmë ka zhvilluar takime me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini.
Hamza ka përsëritur se për PDK-në, në këtë fazë, në fokus janë çështjet që lidhen me shtetin, stabilitetin institucional dhe të ardhmen e vendit.


