Deputeti i PDK-së, Rrahman Rama, ka folur edhe për raportet mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, në kuadër të diskutimeve për marrëveshjet politike dhe votimin e ligjit për Gjykatën Speciale.
Duke folur në “Blic Interview me Astrit Gashin”, Rama tha se PDK-ja nuk është e interesuar të bëjë pazare politike, duke theksuar se ligji për Gjykatën Speciale, sipas tij, është përtej çdo marrëveshjeje politike.
“Ne si PDK nuk jemi të interesuar të bëjmë pazare. Në qoftë se është kushtëzim ligji për Gjykatën, ajo është përtej çdo marrëveshjeje dhe përtej çdo pazari politik”, u shpreh ai.
Rama tha se PDK-ja e sheh veten si opozitë konstruktive në Kuvendin e Kosovës dhe se deri më tani nuk është ftuar për bisedime lidhur me këtë çështje.
“Ne si PDK e kemi thënë fillimisht që jemi opozitë, që ne do të kemi rolin e një opozite konstruktive në Parlamentin e Kosovës. Nuk na është kërkuar, as nuk jemi ftuar që të kemi të paktën një bisedë, por nëse dikush mendon që për këtë ligj duhet ta votojmë presidentin, unë mendoj që këto janë pazare dhe nuk duhet ta përziejmë ligjin që është një ligj shumë më madhor. Në këtë rast na është dënuar e kaluara jonë, por edhe e ardhmja jonë”, tha Rama/Gazeta Blic


