Lajme

Kryesia e Kuvendit dakordohet për deklaratë të përbashkët pas vendimit të Speciales

09/25/2026 12:50
nga:L J

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar përgjegjësi institucionale për situatën e krijuar pas 16 shtatorit.

Tahiri tha se qytetarët po e shprehin revoltën përmes protestave, ndërsa bëri të ditur se ka kërkuar që Kuvendi të ketë një deklaratë të përbashkët.

“16 shtatori ishte ditë e zezë dhe e rëndë për Kosovën dhe gjithë shqiptarët. Qytetarët e Kosovës me shumë të drejtë janë duke shprehur revoltën përmes protestave. Kjo situatë është emergjente, urgjente dhe kërkon përgjegjësi institucionale. Qytetarët me të drejtë kanë kërkesë të drejtuar nga Kuvendi dhe Qeveria”, tha Tahiri.

Ai bëri të ditur se në mbledhjen e Kryesisë ka kërkuar që Kuvendi të miratojë një deklaratë të përbashkët lidhur me situatën.

“Andaj, isha këtu që të alarmoj situatën, ta kthej fokusin te situata emergjente. Kryesisë të Kuvendit i kërkova që Kuvendi ta ketë një deklaratë të përbashkët dhe u dakorduam që ta kemi një deklaratë të përbashkët në seancën që do të mbahet ditën e hënë”, tha ai.