Sergio Busquets ka nisur një fazë të re në karrierën e tij pasi u tërhoq nga futbolli dhjetorin e kaluar në moshën 37-vjeçare, duke iu bashkuar stafit teknik të FC Barcelona Atletic nën drejtimin e brazilianit Juliano Belletti, ndërsa fillon rrugëtimin e tij në botën e trajningut.
FC Barcelona njoftoi në mesin e muajit gusht se Sergio Busquets iu bashkua ekipit B si ndihmëstrajner. Ish-lojtari aktualisht merr pjesë në stërvitje me një rol më tepër vëzhgues sesa aktiv dhe i ndjek ndeshjet e ekipit në stadiumin “Johan Cruyff” nga tribuna, pa udhëtuar me ekipin në këtë fazë.
Sergio Busquets pritet të nisë kursin e trajningut “UEFA A” në javët në vijim; ky është një program me të cilin shumë ish-lojtarë e fillojnë karrierën e tyre si trajnerë. Pas marrjes së licencës, ai do të mund të punojë si trajner i ekipeve kombëtare të moshave ose si ndihmës në stafin teknik të ekipit të parë. Hapi pasues do të jetë marrja e licencës “UEFA PRO”, e cila është licenca më e lartë e trajningut dhe i mundëson atij të drejtojë ekipe duke filluar nga niveli i tretë i ligës spanjolle, “Primera Federacion”.
/GazetaBlic Sport


