Opinionisti Rrahman Paçarizi ka drejtuar kritika të ashpra ndaj institucioneve të Kosovës për mungesë të lobimit shtetëror dhe për mosaktivizim të mekanizmave ndërkombëtarë karshi proceseve gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë.
Paçarizi theksoi se ndonëse angazhimi me Shoqatën e Avokatëve Britanikë ishte një hap i mirë, sipas tij, ai është dashur të zgjerohej me organizata të fuqishme botërore për të evidentuar shkeljet procedurale.
“E kanë nisur me grupin e me Shoqatën e Avokatëve Britanikë, të cilët kanë bërë një punë të mirë, por kjo ka mundur të të zgjerohej. Ka mundur me aktivizuar Human Rights Watch, kanë mundur me aktivizuar Amnesty International, ka organizata të tjera amerikane, e të tjera e të tjera, të cilat kanë mundur të aktivizohen dhe ta kryejnë punën e tyre në monitorimin dhe diskreditimin e procedurave të cilat, ashiqare, edhe ne që jemi laikë e kemi parë që nuk janë procedurat e duhura nëpër të cilat ka kaluar Gjykata Speciale” tha Paçarizi në emisionin Rubikon.
Sipas tij, themelimi i vetë Gjykatës Speciale ishte rrjedhojë e një lobimi të gjatë nga shtetet, ndaj Kosova duhej të përgjigjej me të njëjtën peshë diplomatike, gjë të cilën nuk e bëri dot.
Paçarizi nënvizoi se që nga koha e shkuarjes së ish-krerëve të UÇK-së dhe shtetit në Hagë, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Kosova ka vuajtur nga mungesa e një politike të jashtme funksionale.


