Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka ftuar familjarët e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e UÇK-së, si dhe të gjithë qytetarët, që më 12 shtator të marrin pjesë në “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet në Prishtinë.
Marshi është paraparë të nisë në ora 14:00, nga Sheshi “Skënderbeu”, ndërsa sipas Lladrovcit, qëllimi i tij është shprehja e solidaritetit dhe kërkesa për drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
“Ju ftoj të merrni pjesë në ‘Marshin për Liri’, më 12 shtator, në ora 14:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’, në Prishtinë, për të kërkuar drejtësi për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashim Thaçin, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka theksuar se pjesëmarrësit do të shprehin mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së dhe do të riafirmojnë bindjen për pafajësinë e tyre.
“Të bashkuar me kërkesën për drejtësi, në Shesh, do të theksojmë solidaritetin dhe riafirmojmë bindjen tonë të thellë me besim të plotë në pafajësinë e heronjve tanë të luftës dhe paqes”, është shprehur Lladrovci.
Në fund të ftesës së tij, kryetari i Drenasit u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës, të cilën e ka cilësuar si paqësore dhe dinjitoze.
“Bëhu pjesë e Marshit paqësor e dinjitoz!”, ka shkruar Lladrovci.


