GazetaBlic mëson ekskluzivisht nga burime brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës se një tjetër emërim diplomatik po shoqërohet me dyshime serioze për konflikt interesi, ndërsa në qendër të rastit është Komisioni për Rotacion.
Bëhet fjalë për emërimin e Valëza Oruqi-Fahnster, me gradën diplomatike Ministre Këshilltare, e cila është caktuar Shefe e Misionit Konsullor në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Kopenhagë, në Mbretërinë e Danimarkës.
Sipas Vendimit Nr. Ref: 227/2026, të muajit qershor 2026, të nënshkruar nga zëvendëskryeministri në detyrë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, Oruqi-Fahnster është emëruar në këtë pozitë për mandat katërvjeçar, ndërsa detyrën ka nisur ta ushtrojë nga gushti 2026.

Por, sipas burimeve të GazetaBlic brenda MPJD-së, ky emërim ngre pikëpyetje serioze për konflikt të mundshëm interesi dhe mënyrën se si është zhvilluar procesi i rotacionit diplomatik.
Kunata në Komisionin që merret me rotacionin
Sipas burimeve të njëjta, Valëza Oruqi-Fahnster është kunatë e Kaltrina Ademi-Oruçit, e cila, sipas dokumenteve të siguruara nga GazetaBlic, është anëtare e Komisionit për Rotacion në MPJD.

Ky komision, i themeluar me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së, Ilir Muçaj, ka rol në procesin e rotacionit dhe në vlerësimin e kandidatëve për angazhim në misione diplomatike dhe konsullore.

Një burim i brendshëm i MPJD-së i ka thënë GazetaBlic se Kaltrina Ademi-Oruçi dyshohet se ka rekomanduar Valëza Oruqi-Fahnster për misionin në Kopenhagë.
“Valëza ishte në pushim pa pagesë sepse ishte në kurs të gjermanishtes. Është kthyer para më pak se një viti dhe tash po dërgohet prapë jashtë. E ka rekomandu Kaltrina”, ka deklaruar burimi për GazetaBlic.
Ndryshe, GazetaBlic ka tentuar të marrë përgjigje nga MPJ, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk kanë kthyer përgjigje.


