Një emërim diplomatik në Kopenhagë po ngre pikëpyetje të forta brenda MPJD-së. Njazi Ajvazi, i cili sipas burimeve të GazetaBlic nuk ishte rekomanduar nga Komisioni vlerësues në konkursin për shërbimin e jashtëm, megjithatë është emëruar nga ministri në detyrë Glauk Konjufca si “Sekretar i Dytë” në Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë.
Sipas burimeve të GazetaBlic brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ajvazi kishte marrë pjesë në konkursin për shërbimin e jashtëm, por emri i tij nuk ishte përfshirë në rekomandimin e Komisionit përkatës vlerësues.
Pavarësisht kësaj, me Vendimin nr. 160/2026, të muajit maj 2026, të nënshkruar nga ministri në detyrë i MPJD-së, Glauk Konjufca, Ajvazi është caktuar në pozitën e “Sekretarit të Dytë” në Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë, me mandat katërvjeçar, i cili ka nisur më 3 gusht 2026.

Por emërimi bëhet edhe më i diskutueshëm për shkak të një tjetër të dhëne. Sipas informacioneve të siguruara nga GazetaBlic, të raportuara më herët edhe në media të tjera, Njazi Ajvazi përmendet si pjesë e Listës GUXO.
Fakti se, sipas burimeve, nuk ishte rekomanduar nga Komisioni vlerësues dhe përmendja e tij si pjesë e Listës GUXO, ka ngritur pikëpyetje nëse në këtë rast janë respektuar në mënyrë të plotë kriteret profesionale dhe procedurat e përcaktuara për përzgjedhjen e diplomatëve.
Çfarë e justifikoi emërimin e Ajvazit, nëse ai nuk ishte rekomanduar nga Komisioni vlerësues?
GazetaBlic ka tentuar të marrë një përgjigje nga Njazi Ajvazi për emërimin, procesin e përzgjedhjes, por ai nuk është përgjigjur.
Për sqarime është kontaktuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka kthyer përgjigje.
Gazeta Blic do t’i publikojë edhe sqarimet e institucioneve dhe të Ajvazit, nëse ato dërgohen më pas.


