Lajme

Walker paralajmëron thellim të përçarjes nëse partitë nuk bashkohen për presidentin

08/29/2026 09:26
nga:L J

Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të lënë mënjanë dallimet dhe të bashkohen për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Walker ka paralajmëruar se dështimi për zgjedhjen e presidentit dhe shkuarja në zgjedhje të reja mund ta thellojë krizën politike në Kosovë.

Walker ka thënë se zgjedhjet e reja nuk i sheh si zgjidhje, pasi, sipas tij, ato mund të prodhojnë rezultate të ngjashme me zgjedhjet e kaluara.

“Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri”, ka deklaruar Walker.

Ai ka thënë se Kosova duhet të rikthehet në rrugën e progresit dhe të shmangë një krizë të re institucionale.

“Unë, vërtet, nuk mendoj se zgjedhjet e reja janë zgjidhja. Ato, me shumë gjasë, do të prodhonin rezultate të ngjashme me zgjedhjet e kaluara”, është shprehur Walker.

Ish-ambasadori amerikan ka propozuar si kandidat për president Faton Bislimin, ish-deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Walker ka thënë se Bislimin e njeh prej disa vitesh dhe se, sipas tij, ai posedon aftësitë dhe personalitetin që i nevojiten një presidenti.

“Thjesht, mendoj se Toni ka një kombinim të talenteve dhe personalitetit që i përshtatet asaj që i nevojitet një presidenti. Ka një këndvështrim për botën, arsimim të mirë”, ka thënë Walker.

Ai ka vlerësuar edhe njohuritë e Bislimit për Evropën dhe mënyrën se si funksionojnë institucionet evropiane.

“Ai ka një personalitet që nuk kërkon konflikt, përpiqet t’i bashkojë njerëzit dhe kjo është ajo për të cilën Kosova ka shumë nevojë”, ka deklaruar Walker.

Walker ka treguar se propozimin për Bislimin ua ka dërguar katër partive kryesore politike në Kosovë, por deri në momentin e intervistës nuk kishte marrë përgjigje nga liderët e tyre.

“Jo, nuk kam marrë asnjë reagim nga asnjë prej katër partive, nga katër liderët”, ka thënë ai.

Megjithatë, Walker ka deklaruar se nga ajo që ka dëgjuar, propozimi i tij është pritur mirë dhe se Bislimi ka marrë mbështetje.

“Nga sa dëgjoj, ai është pritur mirë, ka shumë mbështetje”, është shprehur Walker.

Ndërkohë, Bislimi ka thënë se e mirëpret propozimin e Walkerit dhe e ka cilësuar si nder besimin e shprehur ndaj tij.

Bisedimet për zgjedhjen e presidentit po zhvillohen aktualisht mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Pas takimit të fundit më 26 gusht, ata kanë bërë të ditur se kanë diskutuar edhe për emra konkretë për president, por pa i bërë publikë.