Lajme

Protesta e PDK-së para Qeverisë: Moskonstituimi i institucioneve godet çdo komunë

08/28/2026 09:25
nga:L J

Protesta e Grupit Parlamentar të PDK-së para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës po vazhdon, në shenjë pakënaqësie për moskonstituimin e institucioneve qendrore.

Në protestë ka marrë pjesë edhe shefi i Grupit të asamblistëve të PDK-së në Ferizaj, Arian Imeri, i cili tha se protesta po zhvillohet edhe në emër të përfaqësuesve komunalë dhe pjesëtarëve të ekzekutivit lokal nga regjioni i Ferizajt.

Imeri deklaroi se moskonstituimi i institucioneve nuk përbën vetëm krizë politike në Prishtinë, por sipas tij, ndikon drejtpërdrejt edhe në komunat dhe qytetarët.

“Jam këtu para Qeverisë së Republikës së Kosovës që të shpreh në shenjë proteste për moskonstituimin e institucioneve dhe mosfunksionalizimin e tyre”, tha Imeri.

Ai kërkoi që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje për formimin e institucioneve, duke theksuar se situata aktuale ka krijuar edhe pasiguri juridike në raportet ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre lokale.

“Moskonstituimi i institucioneve qendrore nuk është një krizë politike e radhës në Prishtinë, po është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj çdo komune, ndaj çdo familje dhe ndaj çdo lagjeje në komunat nga vijmë”, u shpreh ai.

Imeri tha se institucionet funksionale janë të domosdoshme për vendimmarrje të ligjshme dhe paralajmëroi se vendimet e marra në rrethanat aktuale mund të kontestohen në të ardhmen, me pasoja juridike dhe financiare për qytetarët.

“Raportet në mes të institucioneve komunale dhe institucioneve qendrore kërkojnë institucione funksionale, kërkojnë vendimmarrje të ligjshme me idenë që vendimet, proceset të cilat fillojnë tani mos të kontestohen nesër, sepse pasojat pastaj juridike, financiare po i bartin qytetarët tanë”, deklaroi ai.