Ish-koloneli i FSK-së, Hysen Gecaj, ka thënë se rasti i Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për spiunazh për Serbinë, dhe raste të tilla të ngjashme, tregojnë që Kosova duhet të jetë e vëmendshme ndaj zhvillimeve që ndodhin në rajon dhe territorin e saj.
Kjo pasi, sipas tij, shtetet e tjera që synojnë destabilizimin e Kosovës janë të gatshme për të kryer “detyrat e tyre”.
Gecaj shtoi se mënyra më e mirë për t’u përballur me dukuri të tilla është parandalimi i tyre përmes task-forcave të sigurisë.
“Në fakt flet për një situatë ku institucionet e sigurisë, por jo vetëm institucionet e sigurisë duhet të jenë të vëmendshme me zhvillimet që ndodhin në rajon dhe në veçanti në territorin e Republikës së Kosovës, për shkak se gjithmonë shërbimet e ndryshme janë në gjendje gatishmërie për të kryer detyrat e tyre që i marrin nga shtetet e tyre përkatëse. Prandaj, Kosova si një shtet i cili nuk mund të themi që në historinë e vet ka një jetëgjatësi të madhe të shtetësisë, me gjithë përvojat me gjithë trajnimet me gjithë krijimin e një infrastrukture duhet të jetë më vigjilente për atë se çka mund të ndodhë në aspektin e sigurisë brenda territorit të Republikës së Kosovës. Mënyra më e mirë është parandalimi dhe për të parandaluar akte të këtilla të cilat supozohet që kanë ndodhur edhe me rastin në fjalë duhet të krijohen task-forca të veçanta që merren me parandalimin e këtyre dukurive”, tha ai në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova.
Kujtojmë se është caktuar seanca e parë gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit, i cili përballet me aktakuzë për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”. Gjykata Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se seanca do të mbahet më 7 shtator nga ora 09:30.


