Rikthimi në fushën e lojës i mesfushorit shqiptar të Lecce-s, Medon Berisha, është gjithnjë e më i afërt.
Futbollisti kuqezi ka qëndruar jashtë fushave që prej muajit mars për shkak të një dëmtimi të rëndë muskulor. Lëndimi i pësuar gjatë një seance stërvitore e detyroi lojtarin t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Përmes një komunikate zyrtare, klubi italian njoftoi se Berisha ka kaluar me sukses testet fizike në Turku të Finlandës. Mjeku kirurg Lempainen, i cili kreu operacionin e tij, ka dhënë dritën jeshile për rikthimin e mesfushorit.
Sipas stafit mjekësor, lojtari mund të nisë stërvitjen me grupin që nga java e ardhshme.


