Analisti politik Shenoll Muharremi, në një deklarim për GazetaBlic, ka komentuar krizën institucionale në Kosovë, zhvillimet politike dhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Muharremi ka shprehur shqetësim për veprimet që, sipas tij, janë ndërmarrë së fundmi, duke u bërë thirrje deputetëve dhe anëtarëve të LVV-së që të kenë kujdes se cilat vendime dhe qëndrime përkrahin.
“Një ditë mund të zgjohemi në mëngjes dhe Albin Kurti nuk është më me ne, ka vendosë të shkojë ku jeton familja e tij në Norvegji”, ka deklaruar Muharremi.
Ai ka thënë se deputetët dhe anëtarët e LVV-së që jetojnë në Kosovë mund të mbajnë mbi vete pasojat e vendimeve që merren sot.
Sipas tij, në këtë kuadër duhet parë edhe moskonstituimi i Kuvendit, si dhe ajo që ai i konsideron shkelje të Kushtetutës dhe rregulloreve dhe moszbatim të vendimeve të institucioneve të drejtësisë.
Muharremi u ka bërë thirrje deputetëve që të mos përkrahin verbërisht çdo qëndrim politik, por të veprojnë me guxim dhe dinjitet.
“Ju duhet me pas guxim dhe dinjitet me vendosë e me vepru çka është e drejtë, e jo çka ju thonë të tjerët, që nesër nuk do të jenë me ne dhe nuk do t’i bartin pasojat e vendimeve ekstreme në të ardhmen”, ka thënë ai.
Duke folur për zgjidhjen e krizës institucionale, Muharremi ka vlerësuar se Kuvendi mund të konstituohet dhe Qeveria e re mund të formohet, pasi, sipas tij, votat ekzistojnë.
“Sot mundet me u konstituu Kuvendi, se votat janë. Sot do të mund të formohej qeveria e re legjitime, se votat janë gjithashtu”, është shprehur ai.
Sipas Muharremit, me vullnet politik nga LVV-ja dhe Aleanca Kosovare, do të mund të arrihej edhe një marrëveshje për Presidentin, përfshirë një kandidat apolitik, jopolitik dhe konsensual.
“Krejt çka duhet është me pas vullnet politik dhe me dashtë që ky vend të jetë normal. Me qenë i arsyeshëm dhe mos me luajt me ekstremitete e me zjarr”, ka deklaruar Muharremi.
Muharremi me kritika ndaj LDK-së
Muharremi ka kritikuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke e cilësuar qasjen e saj politike si joparimore.
Ai ka thënë se LDK-ja do të duhej që nga fillimi të deklaronte se nuk kërkon poste apo funksione, por vetëm themelimin e institucioneve.
Sipas tij, pjesa e LDK-së që ishte pro koalicionit me LVV-në kishte kërkuar poste dhe pozita, ndërsa ndryshimi i mëvonshëm i qëndrimit nuk mund të paraqitet si një qëndrim parimor.
Muharremi ka pretenduar gjithashtu se LDK-ja po e mbështet zgjedhjen e Presidentit edhe për shkak të frikës nga zgjedhjet e reja.
“LDK-ja po e jep përkrahjen për president se po frikohet nga zgjedhjet”, ka thënë ai për GazetaBlic.
Sipas tij, LDK-ja duhet të punojë për ta rikthyer besimin dhe për t’i qartësuar parimet dhe qëndrimet e saj politike.
“Një LDK as në tokë, e as në qiell”, ka thënë Muharremi, duke përshkruar pozitën aktuale të kësaj partie.
Ai ka vlerësuar se LDK-ja nuk po sillet qartë as si opozitë dhe as si një subjekt që mund të jetë vlerë e shtuar për pushtetin.
“Kjo ndodh kur je gjithkah e askund.. e kur nuk ke qëndrime të qarta”, është shprehur Muharremi.
Në fund, ai ka thënë se LDK-ja duhet ta nisë rikuperimin nga brenda, duke kërkuar bashkim, transparencë dhe ridefinim të parimeve e qëllimeve politike.
“Sot kjo parti po i paguan gabimet e djeshme, e ende nuk duket se ka mësuar”, ka përfunduar Muharremi.


