Lajme

PDK dhe Aleanca sot në Kuvend, kërkojnë mbajtjen e seancës konstituive

08/14/2026 08:10
nga:L J

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ata të Aleancës pritet të jenë sot në Kuvendin e Kosovës, me kërkesën që seanca konstituive të vazhdojë në orën 11:00, raporton GazetaBlic.

PDK-ja, një ditë më parë, ka dorëzuar kërkesë zyrtare me shkrim te kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që vazhdimi i seancës të mbahet sot, më 14 gusht, në orën 11:00.

Ndërkohë, edhe Aleanca i është drejtuar Deharit, duke kërkuar takim me të për të diskutuar lidhur me përgatitjen dhe koordinimin e vazhdimit të seancës konstituive.

Këto kërkesa vijnë në kohën kur Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar, ndërsa partitë opozitare po kërkojnë që procesi të vazhdojë dhe të hapet rruga për funksionalizimin e institucioneve.

Krahas qëndrimit të tyre në Kuvend, PDK-ja ka nisur sot edhe aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës. Deputetët e kësaj partie janë vendosur para dyerve të Qeverisë, ku kanë bërë thirrje që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të dalë dhe të përballet me ta.

Pas aksionit para Qeverisë, deputetët e PDK-së pritet të vazhdojnë në Kuvend, ku do të kërkojnë që seanca konstituive të mbahet sot në orën 11:00.

Edhe Aleanca ka paralajmëruar pjesëmarrjen e deputetëve të saj në Kuvend, duke insistuar në vazhdimin e procesit të konstituimit.