Hulumtuesi i lartë i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, ka kritikuar deputetët e shumicës parlamentare për pamundësimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Bugaqku mbrëmë në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, theksoi se deputetët e shumicës po e pamundësojnë konstituimin e Kuvendit dhe, sipas tij, po e shkelin rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Sot, fatkeqësisht, deputetët e shumicës parlamentare po e pamundësojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe po e shkelin rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, sepse nuk po e përmbushin detyrimin dhe mandatin kushtetues që e kanë, dhe primatin që e kanë si parti fituese që shtetit t’ua garantojnë zgjedhjen e kryetarit dhe konstituimin e parlamentit brenda afatit”, tha Bugaqku.
Ai theksoi se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit është i detyrueshëm dhe se ky afat është përcaktuar edhe nga Gjykata Kushtetuese.
“Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit është i detyrueshëm, i cili është vendosur edhe nga Gjykata Kushtetuese dhe për të cilin nuk do të duhej fare të kalkulohej në mënyrë politike apo të cenohej kaq në mënyrë të thjeshtë Kushtetuta e Kosovës dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi ai.
Sipas tij, situata aktuale përbën një rast të paprecedentë dhe mund të ketë pasoja edhe në imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Si rast është tejet i paprecedentë. Mendoj se kjo do të jetë një lloj shenje tejet negative që Republika e Kosovës do ta ketë edhe në skenën ndërkombëtare”, shtoi Bugaqku.


