Lista Serbe ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës një ankesë kundër vendimit të Gjykatës Supreme, duke kundërshtuar ndarjen e një mandati të rezervuar për komunitetin serb Nenad Rashiqit. Sipas saj, institucionet zgjedhore dhe gjyqësore nuk kanë garantuar mbrojtjen kushtetuese të vendeve të rezervuara për komunitetet joshumicë.
Në ankesë kërkohet që Gjykata Kushtetuese të sqarojë nëse qëllimi i mandateve të rezervuara respektohet kur zgjedhja e përfaqësuesve të komunitetit serb ndikohet nga votat e qytetarëve që nuk i përkasin këtij komuniteti. Lista Serbe argumenton se këto mandate janë garanci kushtetuese për përfaqësim autentik dhe jo privilegje formale.
Gjykata Supreme më 7 korrik hodhi poshtë ankesën e Listës Serbe, e cila pretendonte se partia e Nenad Rashiqit kishte siguruar mandatin e garantuar kryesisht falë votave nga komunat me shumicë shqiptare.


