Ushtruesja e detyrës së ministres së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka reaguar pas identifikimit të dy varrezave masive në veri të Kosovës, duke thënë se ato janë dëshmi e krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi, Pacolli ka shkruar se “Identifikimi i dy varrezave masive në veri të vendit është një tjetër dëshmi e krimeve çnjerëzore që Serbia kreu në Kosovë gjatë luftës së fundit. Asnjë përpjekje për t’i fshehur gjurmët e këtyre krimeve nuk mund ta mbulojë të vërtetën.”
Ajo është solidarizuar me familjet që, sipas saj, prej më shumë se dy dekadash presin të mësojnë fatin e më të dashurve të tyre.
“Solidarizohemi me familjet që, prej më shumë se dy dekadash, presin të mësojnë fatin e më të dashurve të tyre. Republika e Kosovës mbetet e palëkundur në angazhimin e saj për të zbardhur fatin e çdo personi të zhdukur dhe për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për këto krime”, ka shkruar Pacolli.
Në fund të reagimit, ushtruesja e detyrës së ministres ka shprehur mirënjohje për institucionet, ekspertët mjekoligjorë dhe të gjithë profesionistët që po punojnë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Mirënjohje për institucionet, ekspertët mjekoligjorë dhe të gjithë profesionistët që po punojnë pa u ndalur për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.”, ka përfunduar ajo.


