Presidenti i Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC), Sheikh Salman bin Ebrahim Al-Khalifa, e ka përshkruar planin e FIFA-s për t’ua shitur aksionet e Kupës së Botës investitorëve privatë si krejtësisht të papranueshëm dhe tha se ky veprim minon strukturën kontinentale të sportit.
Komentet jashtëzakonisht të ashpra nga zyrtari i Bahreinit ishin pjesë e një letre dërguar 47 shoqatave kombëtare të AFC-së të enjten.
FIFA njoftoi të martën planet për të krijuar një degë komerciale prej 17.5 miliardë eurosh për të menaxhuar Kupën e Botës dhe gara të tjera, një veprim që ka tërhequr kritika të ashpra nga konfederatat rajonale, përfshirë UEFA-n dhe AFC-në, të cilat thonë se u kapën në befasi nga njoftimi.
Sheikh Salman, i cili është gjithashtu nënkryetar i lartë i Këshillit të FIFA-s, vuri në dukje në letër: “AFC vëren me shqetësim dhe zhgënjim të madh që FIFA nuk u konsultua me ne në asnjë nivel përpara se të shpallte publikisht këtë propozim.”
“Gjithashtu, nuk kemi marrë asnjë analizë të detajuar menaxheriale, financiare apo ligjore të propozimit, as ndonjë analizë të pasojave të tij të mundshme, gjë që është plotësisht e papranueshme”, shtoi ai.
“AFC është thellësisht e shqetësuar se veprimet e njëanshme të FIFA-s duket se minojnë vetë themelet e futbollit kontinental, të cilat bazohen në solidaritet, bashkëpunim dhe transparencë.”
Ai kërkoi që propozimi i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, të shqyrtohet dhe diskutohet plotësisht përmes kanaleve të duhura ligjore dhe menaxheriale. Në të njëjtën kohë, ai kritikoi edhe afatin e shkurtër të dhënë Federatave për miratimin e planit.
Konkretisht, Infantino deklaroi në një letër dërguar 211 federatave të futbollit se secila prej tyre do të merrte 35.12 milionë euro nëse do të pranonin propozimin e FIFA-s deri më 19 shtator.
“AFC është e befasuar që afati aktual kohor lë jashtëzakonisht pak kohë për të shqyrtuar një propozim kaq të rëndësishëm. Vendime të tilla nuk duhet të merren kurrë me nxitim”, tha Sheikh Salman.
/GazetaBlic Sport


